SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë hetim pas raportimeve për shkelje gjatë zgjedhjeve në Gjeorgji

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, ka bërë thirrje për protesta të hënën pas zgjedhjeve parlamentare të kontestuara, teksa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkuan një hetim të plotë pas raporteve për shkelje në votim.

Rezultatet, me pothuajse të gjitha zonat e numëruara, ishin një goditje për gjeorgjianët properëndimorë që i konsideronin zgjedhjet e së shtunës si një zgjedhje midis një partie në pushtet që ka thelluar lidhjet me Rusinë dhe një opozite që synon të përshpejtojë integrimin me Evropën, raporton Reuters.

Monitoruesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) thanë të dielën se kishin regjistruar incidente të blerjes së votave, frikësimit të votuesve dhe mbushjes së votave, që mund të kishin ndikuar në rezultatin, por ata nuk thanë se zgjedhjet ishin të montuara.

Presidentja Zourabichvili u bëri thirrje njerëzve të dalin në rrugë për të protestuar kundër rezultateve të votimit, për të cilat komisioni zgjedhor tha se partia në pushtet kishte fituar.

Në një fjalim të dielën, ajo iu referua rezultatit si një “operacion special rus”. 

Partia qeverisëse “Ëndrra Gjeorgjiane”, fitoi gati 54% të votave, sipas komisionit, ndërsa partitë opozitare kundërshtuan rezultatin dhe vëzhguesit e votave raportuan shkelje të konsiderueshme.

Media gjeorgjiane citoi kryeministrin Irakli Kobakhidze të ketë thënë të hënën se opozita po përpiqet të rrëzojë “rendin kushtetues” dhe se qeveria e tij mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara iu bashkuan thirrjeve të vëzhguesve për një hetim të plotë.

“Në vazhdim, ne inkurajojmë liderët politikë të Gjeorgjisë që të respektojnë sundimin e ligjit, të shfuqizojnë legjislacionin që minon liritë themelore dhe të trajtojnë së bashku mangësitë në procesin zgjedhor”, ka thënë Blinken në një deklaratë.

Edhe Bashkimi Evropian i kërkoi Gjeorgjisë që të hetojë me shpejtësi dhe transparencë parregullsitë e supozuara në votim./Koha.net

Read Previous

Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku për 24 orë

Read Next

Izraeli refuzon propozimin e Egjiptit për armëpushim afatshkurtër në Gaza