Trajneri i Sporting Lisbonës, Ruben Amorim thuhet se ka rënë dakord në parim për t’u bërë trajneri i ri i Manchester United.
39-vjeçari është shfaqur si një pretendent kryesor për të pasuar Erik ten Hag, i cili u shkarkua nga “Djajtë e Kuq” të hënën pas dy vitesh e gjysmë në “Old Trafford”.
Vendimi i United për të shkarkuar Ten Hag, i cili nënshkroi një zgjatje të kontratës dy-vjeçare në verë, është përshkruar si “i vështirë dhe i balancuar” nga hierarkia e tyre, e cila ka zgjedhur një ndryshim pas humbjes 2-1 të klubit ndaj West Ham United në Premier League fundjavën e kaluar.
Ten Hag largohet pasi ka fituar vetëm katër nga 14 ndeshjet e tij në krye të Man United në të gjitha garat këtë sezon, duke i lënë “Djajtë e Kuq” në vendin e 14-të në tabelën e Premier League dhe të 21-tët në renditjen e Europa League.
Ruud van Nistelrooy, i cili dyshohet se heziton të pasojë Ten Hag në baza të përhershme, është vendosur në detyrë të përkohshme, teksa thuhet se “një trajner i përhershëm është rekrutuar” nga Man United.
Një raport i fundit pretendon se Man United nuk po e konsideron ish-trajnerin e Barcelona-s, Xavi, si një kandidat të mundshëm për menaxher.
Megjithatë, “Djajtë e Kuq” mendohet se kanë “marrë hapa të mëdhenj” për të joshur 39-vjeçarin e vlerësuar shumë Amorim larg Sporting-ut.
Amorim është identifikuar si objektivi numër një i Man United për të zëvendësuar Ten Hag dhe negociatat mes “Djajve të Kuq” dhe Sporting thuhet se janë në vazhdim.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, Amorim i ka dhënë fillimisht dritën jeshile Man United dhe dëshiron t’i bashkohet klubit pasi ka pranuar projektin e tyre dhe kushtet e diskutuara.
Romano shton se Amorim respekton Sporting-un dhe kalimi i tij i mundshëm në “Old Trafford” do të varet nëse do të arrihet një marrëveshje me Man United që ata të paguajnë klauzolën e tij të lirimit prej 10 milionë eurosh.
Ndërkohë, një raport i veçantë nga “Manchester Evening News” pretendon se Amorim “ka rënë dakord në parim” për të marrë drejtimin e Man United pasi ishte “i bindur” për të pasuar Ten Hag.
Amorim u mor në pyetje nga gazetarët të hënën për të ardhmen e tij pas shkarkimit të Ten Hag dhe tha: “E prisja atë pyetje dhe padyshim që nuk do të flas për të ardhmen, sepse përndryshe do të më duhet të komentoj gjithmonë, kështu që nuk ia vlen, nuk do të komentoj. Jam shumë krenarë që jam trajneri i Sporting-ut, kjo është e gjitha”.
Në fillim të këtij muaji, Amorim ishte i lidhur me punën te Manchester City pas emërimit të Hugo Viana-s së Sporting-ut si drejtori i ri i tyre i futbollit. 41-vjeçari do të zëvendësojë Txiki Begiristain-in në fund të sezonit.
Megjithatë, Amorim ka hedhur poshtë sugjerimet se ai do të ndjekë Viana-n në “Etihad Stadium” dhe do të pasojë trajnerin aktual Pep Guardiola nëse ai vendos të largohet kur kontrata e tij të skadojë verën e ardhshme.
Amorim ka pasur mjaft sukses në Portugalinë e tij të lindjes gjatë periudhës së tij katërvjeçare e gjysmë në krye të Sporting-ut, duke fituar 71.73% të 237 ndeshjeve të tij dhe duke ngritur pesë trofe. /Albanianpost.com