Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të mërkurën se qëllimi i procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë nuk është njohja, por normalizimi i marrëdhënieve, duke i dhënë një goditje të fortë interpretimit të zyrtarëve në Kosovë për Marrëveshjen Bazë të arritur më 2023.
Duke theksuar rëndësinë e implementimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit nga viti i kaluar, shefi i diplomacisë evropiane ka shtuar se procesi i dialogut nuk ka të bëjë me arritjen e njohjes midis Kosovës dhe Serbisë, por vetëm me normalizimin e marrëdhënieve, duke kërkuar që të mos ngatërrohen dëshirat me realitetin.
“Sigurisht, gjithçka mund të bëhej në një mënyrë tjetër. Por mendoj se e bëmë në një mënyrë që të dy palët mund ta pranonin. Mendoj se të gjithë duhet të kuptojnë se ky proces nuk ka të bëjë me njohje. Ajo, nëse vjen, do të vijë në fund. Ky proces ka të bëjë me normalizimin, i cili është një proces shumë më modest. Objektiv”, ka nënvizuar ai.
“Nuk mund të fillosh të veprosh sikur të jesh njohur nga pala tjetër, sepse ky nuk është rasti. Nuk mund të ngatërroni dëshirat tuaja me realitetin. Mendoj se ne e kemi bërë të qartë, në çdo moment, që gjërat duhet të shkojnë hap pas hapi. Duke kuptuar drojën dhe kufijtë kushtetues të të dyja palëve”, ka shtuar kryediplomati në fund të mandatit.
Në marrëveshjen e arritur midis Kosovës e Serbisë vitin e kaluar, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër, megjithëse nuk përmendet njohja reciproke, kërkohet që Serbia t’i njohë simbolet shtetërore të Kosovës, të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe t’ia respektojnë integritetin territorial e sovranitetin.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja vazhdimisht e ka përkthyer në njohje de facto, duke insistuar madje edhe në nënshkrimin e marrëveshjes./Albanianpost.com