Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar të mërkurën me ambasadoren e Holandës në Kosovë, Karin Boven, të cilën e ka uruar për detyrën e re.
Nëpërmjet një komunikate për media, nga Ministria e Punëve të Brendshme theksohet se Sveçla e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme që Holanda i ka dhënë Kosovës.
“Në këtë takim ministri Sveçla e uroi ambasadoren Boven për detyrën e re duke e falënderuar kështu edhe për mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar Holanda për Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Svecla, siç citohet në komunikatë e ka njoftuar ambasadoren Boven për “prioritetet tona në sundimin e rendit dhe ligjit si dhe për rezultatet e punës së institucioneve tona në luftën ndaj çdo ilegaliteti që cenon sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve tanë”.
Duke i vlerësuar raportet ndërshtetërore, Sveçla theksohet se vlerësoi mbështetjen që ka ofruar Holanda për Ministrinë e Punëve të Brendshme në kuadër të projekteve të ndryshme dhe në kuadër të kësaj edhe Boven potencohet se ka rikonfirmuar vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi letrat kredenciale nga Boven më 22 gusht. Ajo zëvendëson ambasadoren e deritanishme të Holandës në Prishtinë, Carin Lobbezo, të cilën krerët shtetëror e falënderuan për kontributin e dhënë për integrimin dhe sigurinë e vendit të vogël./Albanianpost.com