Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka njoftuar se në Kosovë parashikojnë që të ketë rritje ekonomike për 4 për qind për vitin e ardhshëm.
Përmes një komunikate nga misioni i FMN-së është vlerësuar se ekonomia e Kosovës vazhdon të përformojë pozitivisht.
“Ne parashikojmë që rritja të arrijë në 4¼ përqind këtë vit dhe 4 përqind vitin e ardhshëm. Inflacioni total ka rënë ndjeshëm, duke arritur në 0.4 për qind nga viti në vit në tetor 2024, i nxitur nga një ngadalësim i rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe transportit”, thuhet në njoftimin e FMN-së.
Sipas të dhënave të FMN-së është zgjeruar edhe deficiti i llogarisë korente të jashtme.
“Deficiti i llogarisë korente të jashtme u zgjerua në 2¾ për qind të PBB-së në tetë muajt e parë të 2024 nga 1½ për qind e PBB-së në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, për shkak të rritjes së importeve të mallrave dhe shërbimeve, të nxitura nga rritja e kërkesës së brendshme. Kredia për sektorin privat u rrit me dy shifra, duke thelluar sektorin financiar dhe duke ofruar mbështetje shtesë për ekonominë”.
“Sektori bankar mbetet i shëndetshëm – fitimprurës dhe i mirëkapitalizuar me nivele të ulëta të kredive me probleme”.
Përmes një raporti të publikuar në muajin gusht, Kosova kishte zënë vendin e dytë në mesin e ekonomive evropiane në zhvillim në indeksin e performancës për tërheqjen e investimeve të huaja direkte për vitin 2023 – dhe në vendin e pestë në të gjithë botën – në bazë të një raporti të publikuar së fundi nga qendra FDI Intelligence për investime të huaja.
Në mesin e ekonomive evropiane në zhvillim, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur performancën më të mirë për tërheqjen e investimeve të huaja në vitin 2023.
Në vendin e parë ishte Mali i Zi, pasuar nga Kosova në vendin e dytë, Serbia në vendin e tretë dhe Maqedonia e Veriut në vendin e katërt.
Por, në raportin e fundit të publikuar për Kosovën nga Fondi Montar Ndërkombëtar (FMN), përkundër vlerësimit se ekonomia e vendit do të vazhdojë të zgjerohet, investimet e huaja direkte mund të ulen në vitin 2024, kryesisht për shkak të tensioneve në Veriun e trazuar të Kosovës./Albanianpost.com