Vetëdorëzohet në Polici i dyshuari për therjen e katër personave me thikë në Ferizaj

F.I., është vetëdorëzuar në Polici lidhur me rastin e therjes me thikë të katër personave në Ferizaj. Fillimisht, ishte arrestuar një tjetër person. 

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Shukri Jashari, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

“Personi të cilin e kemi arrestuar gabimisht është liruar. Është arrestu për shkak se, është shumë interesant, sipas informatave që na i kanë dhënë qytetarët, ky i ka përngja krejt, edhe veshjen edhe krejt, personit të dyshimtë, shumë interesant, edhe profilin. E në ora 4:00 të mëngjesit është paraqitur vetë i dyshimti dhe është dorëzu, dhe më pas ky i arrestuari i parë, është liru, e ai tjetri është ndalu, i dyshuari kryesor”, konfirmoi Jashari.

Ai theksoi se personi që ishte arrestuar gabimisht është liruar pas arrestimit të të dyshuarit kryesor. E për këtë të fundit, tha se ishte i dënuar për vrasjen e një gruaje e cila kishte ndodhur më 2016, dënim të cilin e kishte vuajtur.

“Ky person ka qenë i dënuar për vrasje, ka qenë në burg. Në shkurt nëse nuk gaboj është liru nga burgu, e ka vuajt dënimin edhe ka ndodhë kjo që ka ndodhë tash”, tha Jashari, duke shtuar se kjo Prokurori nuk e kishte atë rast.

Ndryshe, të hënën Policia e Kosovës njoftoi se është arrestuar E.S (59-vjeçar) në Ferizaj pasi dyshohet se ka therur me thikë katër kalimtarë, prej tyre dy vajza e dy djem.

“Me datën 11.11.2024 reth orës 15:40 jemi informuar se një person i moshës madhore, në rrugët: “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci” në rrethana ende të pasqaruara u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore (therur me thikë) 4 persona kalimtarë të rastit, dy femra (të moshave nën 18 vjeçe dhe dy meshkuj (të moshave madhore, rreth 29-32 vjeçare)”, konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Veseli bëri të ditur se të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor, dy persona janë dërguar në QKUK – Prishtinë, ndërsa dy të tjerë janë duke u trajtuar në Ferizaj.

“Ekipe të shumta të policisë, pëfshirë, edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intenzive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën “Besim Rexhepi” në afërsi të qendrës tregtare “Plus Market” të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59 vjeçar, i cili nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë ( thikë) me të cilën dyshohet se është përdorur në rastet e sipër përmendura. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, konfirmoi Veseli. /BetmipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

FIBA me njoftim zyrtar për ndeshjen e Trepçës në Skoci

Read Next

Real Madridi në janar synon transferimin e Jonathan Tah