Turqisë i është ofruar statusi i vendit partner nga grupi i kombeve BRICS, ka bërë të ditur ministri turk i Tregtisë, Omer Bolat, ndërsa Ankaraja vazhdon siç i quan përpjekjet e saj për të balancuar lidhjet e saj lindore dhe perëndimore.
Turqia, një anëtare e NATO-s, në muajt e fundit ka shprehur interes për t’u bashkuar me grupin BRICS të ekonomive në zhvillim, që përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën, Afrikën e Jugut, Etiopinë, Iranin, Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, raporton Reuters.
Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan mori pjesë në një samit të liderëve të BRICS të organizuar nga presidenti rus Vladimir Putin në Kazan muajin e kaluar, pasi Ankaraja tha se kishte ndërmarrë hapa zyrtarë për t’u bërë anëtare e grupit.
“Sa i përket statusit të Turqisë në lidhje me anëtarësimin (BRICS), ata i ofruan Turqisë statusin e anëtarësimit partner”, ka thënë Bolat në një intervistë me transmetuesin privat TVNet të mërkurën.
“Ky është procesi i tranzicionit në strukturën organizative të BRICS”, ka thënë ai.
Ankaraja e sheh grupin BRICS si një mundësi për të çuar më tej bashkëpunimin ekonomik me vendet anëtare, sesa një alternativë ndaj lidhjeve të saj perëndimore dhe anëtarësimit në NATO, sipas Erdoganit.
Zyrtarët turq kanë thënë vazhdimisht se anëtarësimi i mundshëm në BRICS nuk do të ndikojë në përgjegjësitë e Turqisë ndaj aleancës ushtarake perëndimore./Koha.net