Një operacion i gjerë për kapjen e narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme SPAK, Njësisë Operacionale dhe agjentëve spanjollë ka rezultuar në zbulimin e një laboratori droge dhe arrestimin e disa personave, teksa detaje zyrtare ende priten përmes njoftimeve nga SPAK.
Siç është raportuar në orët e vona të 15 nëntorit, aksioni është shtrirë në Tiranë, kryesisht në zonën periferike të njohur si Kodra e Diellit 2 dhe më tej edhe në rrethe, ku është zbuluar edhe një laborator kokaine.
Pas mesnatës, operacioni e ka vendosur vëmendjen e plotë ndërkaq një zonën e Kodrës së Diellit 2, ku kryesisht ka rezidenca luksoze, pasi mendohet se aty mund të ketë edhe laboratorë të tjerë të kokainës, që shërbejnë më pas edhe për shpërndarjen.
Disa shtëpi janë kontrolluar dhe po vijon bastisja edhe në banesa të tjera. Grupi kriminal raportohet se ndërronte vazhdimisht banesat, kjo për të shmangur rënien në sy dhe humbur gjurmët.
Operacioni i djeshëm zhvillua në disa zona si Kavajë, Shkozet, Vorë, Kamëz, Qerek dhe Tiranë te Kodra e Diellit.
Ndërkohë një punishte droge gjithashtu u zbulua në fshatin Qerekë të Fushë-Krujës. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar disa kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe përzierës.
Ndërsa numri i të arrestuarve deri tani raportohet të jetë 5 persona, njëri prej të cilëve nga Venezuela. Arrestime janë kryer në fshatin Vishnje në Njësinë Administrative Baldushk, ndërsa paralelisht aksioni antidrogë ka vazhduar edhe në fshatin Ibë.
Sot pritet që Policia dhe Prokuroria të japin më shumë detaje për operacionin. /Albanianpost.com