Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, e ka dënuar sulmin e së premtes në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut. Ai e ka quajtur sulmin kriminal dhe terrorist.
Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë ta mbrojë sovranitetin e saj dhe se ka mbështetjen ndërkombëtare.
“Krimet e tilla, që synojnë të dëmtojnë rendin dhe sigurinë në një shtet sovran, nuk kanë vend në rajonin tonë dhe nuk do të kenë sukses. Autorët e këtyre sulmeve duhet të identifikohen dhe të përballen me drejtësinë. Kosova ka mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare dhe do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin e saj”, ka shkruar Fetai në Facebook.
Në tri ditët e fundit tri sulme kanë ndodhur në veriun e Kosovës. Më pak se 24 orë pas sulmit me granatë dore në ndërtesën e Komunës në Zveçan, ka ndodhur një shpërthim në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut të premten.
Autoritetet qendrore të Kosovës, për sulmin që kanë cilësuar terrorist, e bëjnë përgjegjëse Serbinë. Sulmet janë dënuar edhe nga SHBA-ja e BE-ja. E, të martën granata dore ishin hedhur në oborrin e stacionit policor në Zveçan. /KOHA.net/