Rënia e Asadit, çfarë pasojash do të ketë në rajon?

Fighters fire towards Syrian Army troops in the Rashidin district on the outskirts of Aleppo on November 29, 2024 [Bakr Alkasem/AFP]

Rënia e Bashar al-Assad ishte pothuajse e paimagjinueshme vetëm një javë më parë, kur rebelët filluan fushatën e tyre mahnitëse kundër regjimit nga baza e tyre në Idlib, në veri-perëndim të Sirisë, shkruan BBC.

Kjo është një pikë kthese për Sirinë. Assad erdhi në pushtet në vitin 2000 pas vdekjes së babait të tij Hafez, i cili sundoi vendin për 29 vjet, dhe njësoj si djali i tij, me një grusht të hekurt.

Assad junior trashëgoi një strukturë politike të kontrolluar fort dhe represive, në të cilën opozita nuk tolerohej.

Fillimisht, kishte shpresa se mund të ishte ndryshe, më e hapur, më pak brutale. Por nuk zgjatën shumë.

Asadi do të mbahet mend përgjithmonë si njeriu që shtypi me dhunë protestat paqësore kundër regjimit të tij në vitin 2011, të cilat çuan në një luftë civile. Më shumë se gjysmë milioni njerëz u vranë, gjashtë milionë të tjerë lanë vendin.

Me ndihmën e Rusisë dhe Iranit, ai shtypi rebelët dhe mbijetoi. Rusia përdori fuqinë e saj të frikshme ajrore ndërsa Irani dërgoi këshilltarë ushtarakë në Siri dhe Hezbollah, milicia që ajo mbështet në Libanin fqinj, vendosi luftëtarët e saj të trajnuar mirë.

Këtë herë mbrojtja e Asadit nuk ia arriti dot të mbrohej. Aleatët e tij, të preokupuar me punët e tyre, në thelb e kanë braktisur atë.

Pa ndihmën e tyre, trupat e tij nuk kanë qenë në gjendje – dhe në disa vende, me sa duket nuk kanë dashur – të ndalojnë rebelët, të udhëhequr nga grupi militant islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS).

Së pari, ata morën Alepon, qytetin e dytë më të madh të vendit, javën e kaluar, pothuajse pa asnjë rezistencë. Pastaj Hama dhe, ditë më vonë, qendra nervore e Homsit.

Me kryengritësit që përparonin gjithashtu nga lindja dhe jugu, ofensiva e izoloi Damaskun. Brenda pak orësh, luftëtarët hynë në kryeqytet, selinë e pushtetit të Asadit.

Fundi i sundimit 50-vjeçar të familjes Assad do të riformësojë ekuilibrin e pushtetit në rajon.

Irani, edhe një herë, po sheh ndikimin e tij të goditet. Siria nën Assad ishte pjesë e lidhjes midis iranianëve dhe Hezbollahut dhe ishte kyçe për transferimin e armëve dhe municioneve te grupi.

Vetë Hezbollahu është dobësuar rëndë pas luftës së tij njëvjeçare me Izraelin dhe e ardhmja e tij është e pasigurt.

Një tjetër fraksion i mbështetur nga Irani, Houthis në Jemen, janë shënjestruar vazhdimisht nga sulmet ajrore. Të gjitha këto fraksione, plus milicitë në Irak dhe Hamasi në Gaza, formojnë atë që Teherani e përshkruan si ”Boshti i Rezistencës”, i cili tani është dëmtuar rëndë.

Ky imazh i ri do të festohet në Izrael, ku Irani shihet si një kërcënim ekzistencial.

Shumë besojnë se kjo ofensivë nuk mund të kishte ndodhur pa bekimin e Turqisë. Turqia, e cila mbështet disa nga rebelët në Siri, ka mohuar mbështetjen e HTS.

Prej disa kohësh, presidenti Rexhep Tajip Erdogan i kishte bërë presion Asadit që të angazhohej në negociata për të gjetur një zgjidhje diplomatike për konfliktin që mund të lejonte kthimin e refugjatëve sirianë. /ATSH/

Read Previous

E konfirmon Kremlini, Putini i ofron azil politik Assadit

Read Next

“Korrupsioni, ndër pengesat më të mëdha të zhvillimit në të gjithë botën”