​Mitsotakis: Liderët e BE-së të angazhohen për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes së NATO-s

Vendet e NATO-s janë të vetëdijshme për nevojën për të shpenzuar më shumë se dy për qind të prodhimit ekonomik për mbrojtjen, deklaroi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Në një konferencë pas samitit Veri-Jug të BE-së mbi sigurinë evropiane në Saariselka të Finlandës, Kyriakos Mitsotakis tha se një shifër e re objektive “do të bëhet e qartë” vitin e ardhshëm pas diskutimeve midis anëtarëve të Aleancës.

“Do të bëhet e qartë pasi të ndër-veprojmë me presidentin e ri (amerikan), se cila është shifra për të cilën do të biem dakord brenda NATO-s”, tha ai.

Donald Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, dëshiron që aleatët e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në më shumë se dyfishin e objektivit aktual prej dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Ekipi i Trump u ka thënë zyrtarëve evropianë se presidenti i ardhshëm amerikan pret që anëtarët e Aleancës ushtarake të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Mitsotakis nuk pranoi të citonte një numër specifik në përgjigjen e pyetjes së një gazetari për këtë çështje, duke thënë se do të jetë më shumë se dy për qind.

Pjesëmarrës në samitin e sotëm Veri-Jug në Finlandë, i cili u thirr nga kryeministri finlandez Petteri Orpo, ishin kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri suedez Ulf Kristersson dhe shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas.

“Ne të gjithë ramë dakord se Evropa duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur veten dhe për të parandaluar luftën. Vitin e ardhshëm, ne do të propozojmë ide në nivel të BE-së për më shumë bashkëpunim në mbrojtje, aftësi më të forta dhe financime”, shkroi Kallas në X.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson në një postim në X tha se Evropa duhet të merr një përgjegjësi më të madhe për sigurinë e saj, por refuzoi të jepte një shifër për shpenzimet e mbrojtjes.

Anëtarët evropianë të NATO-s janë nën presion në rritje për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe kërcënimeve të Vladimir Putin për të sulmuar ata që mbështesin Kievin.

Shefi i ri i NATO-s Mark Rutte tha në fillim të këtij muaji se anëtarët e Aleancës duhet të shpenzojnë “shumë më shumë” se dy për qind.

Një raport i NATO-s në qershor tregoi se 23 anëtare të Aleancës nga 32, kanë përmbushur objektivin dy për qind për shpenzimet e mbrojtjes. /KosovaPress/

Read Previous

Valletta, kryeqyteti i vogël por historik i Evropës

Read Next

Top pesë futbollistët kosovarë që shkëlqyen në fundjavë