Hasani: Hapja e bazës ajrore në Kuçovë, shembull i shkëlqyer i aleancës me NATO-n

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani deklaroi sot se hapja e bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë është një shembull i shkëlqyer i aleancës së Shqipërisë me NATO-n duke siguruar stabilitet për rajonin.

Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, Hasani theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe mirëpret angazhimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

“Shqipëria mbetet e angazhuar me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe ka mirëpritur angazhimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Hapja e bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë është një shembull i shkëlqyer i aleancës me Shqipërinë duke siguruar stabilitet për rajonin”, tha Hasani.

Hasani tha më tej se një tjetër dimension i politikës sonë të jashtme është angazhimi i politikës sonë për mbështetje të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Ministri theksoi se Shqipëria ka dënuar “jo vetëm me fjalë agresionin rus, por ka riafirmuar mbështetjen tonë ndaj Ukrainës”.

“Kemi mbajtur një qëndrim të qartë pro Izraelit dhe kemi dënuar sulmet terroriste të Hamasit, duke theksuar fuqimisht nevojën për një zgjidhje paqësore”, tha Hasani.

Hasani shtoi më tej se Shqipëria është përpjekur që të avancojë sa më shumë në krijimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare.

“Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim ka qenë hapja e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë në vende si Azerbajxhani apo Ukraina. Kjo është një dëshmi për të forcuar lidhjet ekonomike. Nga ana tjetër hapja e përfaqësisë diplomatike në Ukrainë ka një rëndësi të veçantë, pasi thekson mbështetjen e fortë për integritetin territorial të Ukrainës, por edhe duke promovuar angazhimin e Shqipërisë në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Evropë”, tha Hasani. /ATSH/

Read Previous

Igli Hasani: Synojmë mbylljen e negociatave me BE-në deri në 2027

Read Next

Presidenti gjerman Steinmeier shpërndan parlamentin dhe cakton datën e zgjedhjeve