DW: Grindja e Sllovakisë me Ukrainën për gazin

Kryeministri sllovak Robert Fico po nis një grindje serioze me Ukrainën për shkak të ndalimit të tranzitit të gazit. Arsyeja nuk është rreziku i krizës energjetike, por problemet e brendshme politike në këtë vend të BE-së.

Ndërsa Rusia bombardon Ukrainën ditë për ditë, fati i popullit ukrainas dhe i vendit të tyre bëhet gjithnjë e më shumë lojë e pushtetit dhe e politikës në disa vende të BE. Në Hungari Viktor Orban gënjen popullin e tij, që të besojë se ai është një “misionar i paqes” – në këtë rol ai bën thirrje kundër opozitës, e cila u shërben “luftënxitësve në Bruksel”. Nga ana tjetër në fushatën zgjedhore në Gjermani Olaf Scholz përpiqet të paraqitet si “kancelar i paqes” dhe “njeri i çtenisionimit”, për t’ua hequr votat partive pro-ruse AfD dhe BSW.

Edhe në politikën e brendshme të Sllovakisë çështja e Ukrainës zien prej kohësh. Por tani kryeministri Robert Fico, me emër socialdemokrat, por në fakt një populist i djathtë, ka nisur një konflikt serioz diplomatik me fqinjin e tij për shkak të ndalimeve të tranzitit të gazit në Ukrainë. Ai kërcënon Ukrainën, se do t`ia ndërpresë eksportet e energjisë elektrike ose ndihmën për refugjatët ukrainas, nëse Ukraina vazhdon të ndalojë transitin e gazit rus. Por në fakt nuk është fjala për rrezikun e një krize energjetike në Sllovaki, por për një shpërqendrim nga problemet e brendshme politike – nga programi i rreptë i kursimeve dhe kriza gjithnjë e më e thellë e koalicionit qeverisës.

Kabineti tripartiak i Ficos në Sllovaki, i përbërë nga populistë të majtë dhe të djathtë, është i njohur për qëndrimet e tij pro-ruse. Megjithatë deri tani kryeministri ka mbështetur kryesisht politikën e BE për Ukrainën. Kthesa nisi në vjeshtë: në fund të tetorit Fico duke buzëqeshur me sharm, i dha një intervistë propagandistes famëkeqe ruse të luftës Olga Skabejeva, e cila i bën thirrje Putinit të sulmojë Evropën me bomba bërthamore. Aty ai kritikoi BE për “zgjatjen e luftës” në Ukrainë dhe premtoi se do të shkonte në Moskë për paradën e fitores më 9 maj 2025 – për të shënuar 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Vizitë në Moskë

Por Fico shkoi pak para Krishtlindjeve 2024 në Moskë dhe vizitoi diktatorin rus Vladimir Putin. Takimi ishte, siç u tha, për zgjidhjen e problemit me gazin në Sllovaki. Ukraina kishte njoftuar prej kohësh se do të ndërpriste përfundimisht transitin e gazit rus më 1 janar 2025, pas skadimit të kontratës përkatëse me Rusinë. Kryeministri sllovak nuk dha detaje. E paqartë është gjithashtu se si dhe në cilën rrugë ai udhëtoi për në Moskë./express/

Read Previous

Trump do të dënohet 10 ditë para se të bëjë betimin si President

Read Next

Zbulohet shuma që do ta fitojnë Logan Paul dhe Conor McGregor nga përballja mes tyre