Viti 2024 shënoi një rekord vizitorësh në lokalitetet e trashëgimisë kulturore duke arritur në 1,3 milion vizitorë, ose 30 më shumë më shumë sesa në vitin 2023. Këto kanë qenë shifrat që ka ndarë nëpërmjet rrjeteve sociale, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Po aty ai ka shpërndarë edhe një historik të ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të vitit 2024, ku u regjistruan mbi 2300 evente kulturore, ose mbi 25 për qind më shumë se sa në vitin 2023.
Një format i rëndësishëm janë në këtë drejtim edhe Javët Kulturore Ndërkombëtare, ku gjatë vitit 2024 kishte 21 shtete pjesëmarrëse. Në kuadër të tyre u organizuan 250 aktivitete me pjesëmarrjen e 360 artistëve. Sipas përmbledhjes, Shqipëria u përfaqësua po ashtu në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia me “Love as a glass of Water”, ku pavijoni shqiptar u përfaqësua nga artistja Iva Lulashi. “Po ashtu gjatë vitit që lamë pas u finalizuan një sërë investimesh të rëndësishme.
Falë mbështetjes së ‘EU4Culture’ u rihapën Teatri i restauruar i Kukullave, Muzeu Etnografik i Krujës dhe Muzeu Etnografik i Kavajës. Po ashtu, vijuan punimet për infrastrukturën kulturore në Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura dhe Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë”, shkruhet në përmbledhje.
Në kuadër të rijetësimit të trashëgimisë kulturore u realizua po ashtu projekti Art në Hapësirat Publike, në kuadër të të cilit u realizuan disa vepra si: “Terminal for Tirana”, kuruar nga “Tirana Art Lab”, artiste Karolina Halatek; “Çelësi Shqiptar”, realizuar nga Alfred Mirash Milot; “Foleza”, realizuar nga Vasil Dhiamandi dhe Krisiko Studio.
“Një sërë aktivitetesh u organizuan po ashtu edhe për festimin e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.
Viti 2024 u përmbyll me një tjetër lajm të mirë, regjistrimin e ‘K’cimit të Tropojës në UNESCO’, si pjesë e listës përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit”, shkruhet në përmbledhje.
Në fakt, përfshirja e “K’cimit të Tropojës” në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë dhe Kulturë, është arritje e vitit. Është një tjetër kapitull i shndërrimit të trashëgimisë kulturore shqiptare në vlerë botërore të njerëzimit. Në fillim të dhjetorit me njohjen e këtij kërcimi ishte shënuar sukses historik. Kishte përmbyllur një rrugëtim shumëvjeçar prej se u propozua që ta marrë statusin që i është dhënë tashmë. Është një kërcim që përçon simbolikë në çdo lëvizje i koreografuar asisoj ku çdo hap shpreh shpirtin tropojan të Malësisë së Gjakovës. I bashkohet edhe xhubletës, tash e dy vjet në UNESCO dhe jo vetëm.
Sipas ueb-faqes “Trashëgimia kulturore jomateriale”, “K’cimi i Tropojës” ka qenë pjesë thelbësore e vallëzimeve të dasmës. “Përveç vallëzimeve ku ‘K’cimi…’ kryhet i përzier, nga burra dhe gra, vajza dhe djem, ekziston edhe një shumëllojshmëri e valleve martesore gjinore rituale ku interpretohet ‘K’cimi…’, të tilla si vallja e grave të moshuara, vallja e nuseve të reja të farefisit, vallja e vajzave dhe vallja e burrave. Vallja e nuseve të reja është vallëzimi i vetëm ku ‘K’cimi…’ interpretohet individualisht, ku nuset e reja, ndoshta nga rajone të tjera, tregojnë se sa mirë kanë arritur të mësojnë vallëzimin e ‘K’cimit…’”, shkruhet aty.
Por deri te njohja e “K’cimit të Tropojës” si pasuri botërore është një rrugë e gjatë, e cila ka nisur qysh prej vitit 2019, e zyrtarisht më 2021. Qysh prej marsit të atij viti ishte bërë e ditur se bashkë me xhubletën zyrtarisht ishin propozime të Shqipërisë për të hyrë në UNESCO. Autoritetet shqiptare kishin paralajmëruar se do t’ia mësynin sërish me “K’cimin e Tropojës” fill pas përfshirjes së xhubletës në “Listën e mbrojtjes urgjente” të UNESCO-s, në nëntorin e vitit 2022. Ishte në përgatitje të dosjeve për “K’cimin…”, por edhe me Eposin e Kreshnikëve, që në fakt ka një histori më të gjatë shoqëruar edhe me përplasje e mungesë koordinimi midis Kosovës e Shqipërisë e që do të riaktualizohej kur Serbia e futi në UNESCO “Të kënduarit me guslle” më 2018./koha.net/