Sipas një njoftimi të shpërndarë nga kompania koncesionare G2Infra, ky aks, pjesë e korridorit Blu, do të kalojë në regjimin e pagesës, siç ishte parashikuar që në fazat e para të ndërtimit.
“Ky aks ofron një udhëtim më të sigurt dhe më të shpejtë, duke u shndërruar në një nga arteriet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Rruga Thumanë-Kashar, e hapur për qarkullim më 30 qershor 2024, ka një gjatësi prej 21 kilometrash.
Ajo është ndërtuar nga kompania private që ka marrë përsipër koncesionin 35-vjeçar, me një kosto prej 271 milionë euro, siç u deklarua gjatë ceremonisë së hapjes disa muaj më parë.
Në fillim të muajit nëntor zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri me dije se segmentin Thumanë-Kashar kishin kaluar mbi 2.5 milionë mjete, nga data 28 qershori deri më 30 shtator.
Tarifa e kalimit në këtë rrugë do të varet nga lloji i mjetit, duke nisur nga 2.1 euro pa TVSH dhe 2.52 euro me TVSH.
Ajo do të rishikohet çdo vit dhe mund të ndryshojë në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë-euro.
Çmimi do të rrumbullakoset kur të ketë shifra me presje dhjetore. Për pagesën në lekë, do të aplikohet një kurs i përcaktuar në kontratë, afër kursit të tregut.
Kontrata mes Gener 2 dhe G2Infra parashikon që të ardhurat e përgjithshme gjatë 35 viteve të arrijnë rreth 1.3 miliardë lekë pa TVSH.
Një tjetër element i rëndësishëm është garancia e të ardhurave të bazës për operimin e rrugës.
Shteti do të mbështesë koncesionarin gjatë 8 viteve të para të operimit, nëse të ardhurat nuk arrijnë nivelin e parashikuar. /Albanianpost.com