Trajneri i Chelsea, Enzo Maresca, këmbënguli sot se rotacioni është kyç për funksionin e skuadrës së tij. Fitorja 5-0 e së shtunës ndaj Morecambe në Kupën FA erdhi nga lojtarët që nuk kanë luajtur shumë në Premier League.
Mbrojtësi Tosin Adarabioyo shënoi dy herë, ndërsa Christopher Nkunku shënoi të 13-tin e sezonit në të gjitha garat. Joao Felix shënoi gjithashtu dy gola në pjesën e dytë, por pavarësisht se ai dhe Nkunku kanë shënuar 20 gola mes tyre, ata nuk janë titullarë.
Të dy lojtarët preferojnë të luajnë në rolin e numrit 10, por me Cole Palmer të paprekshëm në atë pozicion ata ose janë vendosur diku tjetër ose janë kufizuar në paraqitjet nga pankina.
“E vetmja gjë që kam thënë që nga fillimi është se është e vështirë të luash ndeshje me kaq shumë lojtarë sulmues”, tha Maresca. “Nëse Felix luan do të thotë që Palmer nuk luan ose anasjelltas. Ata mund të luajnë edhe së bashku, por kjo varet nga loja”, tha Maresca.
“Ne kemi tre lojtarë që janë pak a shumë të ngjashëm, Joao, Cole dhe Christo. Në disa ndeshje ne mund të luajmë me ta të gjithë së bashku, por jo çdo ndeshje. Duhet rotacion dhe lojtarët e dinë këtë gjë”, shtoi Maresca. /Telesport.al/