Udhëheqësi i ekstremit të djathtë austriak, Herbert Kickl, dhe partnerët e tij të mundshëm të koalicionit kanë bërë të ditur të hënën se kanë arritur një marrëveshje për të ulur deficitin buxhetor, një hap i parë i rëndësishëm drejt asaj që do të ishte qeveria e parë e vendit pas Luftës së Dytë Botërore e udhëhequr nga e djathta ekstreme.
Kickl, “Partia e Lirisë” e të cilit fitoi zgjedhjet parlamentare të Austrisë në shtator, u mandatua javëm e kaluar nga presidenti austriak, për të filluar përpjekjet që të formojë një qeveri me Partinë Popullore konservatore të ish-kancelarit, Karl Nehammer, një javë më parë.
Partia e Nehamerit kishte tentuar më parë të formonte një qeveri pa Kickl, por bisedimet e gjata me dy parti të tjera kryesore dështuan, teksa financat e vendit u shndërruan në një pikë kryesore të bllokimit.
Të hënën, të dy palët kanë thënë se kanë rënë dakord për rreth 6.3 miliardë euro në kursime këtë vit që do ta çonin deficitin e Austrisë nën maksimumin prej 3% të mandatuar nga rregullat e Bashkimit Evropian.
Kickl ka thënë se kjo do të arrihet pa taksa të reja.
“Ne kemi arritur së bashku, në tre ditë negociatash intensive dhe të mira, atë që nuk ishte e mundur në rreth 100 ditë”, ka thënë Kickl.
Negociatat për të formuar një qeveri të re mund të zgjasin ende me javë ose muaj dhe nuk janë të garantuara se do të kenë sukses.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Alexander Schallenberg ka marrë postin e kancelarit të përkohshëm pasi konservatori Karl Nehammer, lideri i Austrisë për tre vjetët e fundit, ka dhënë dorëheqjen pas përpjekjes së tij të dështuar për të krijuar një koalicion të ri./koha.net/