Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt njoftoi të premten se “fluturimet e dëbimit kanë filluar”, duke publikuar foto të njerëzve të prangosur të cilët hipnin në avionët ushtarakë.
“Presidenti Trump po dërgon një mesazh të fortë dhe të qartë për të gjithë botën: nëse hyni ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të përballeni me pasoja të rënda”, shtoi ajo.
Informacioni i marrë nga Fox News Digital tregon se ndërmjet mesnatës së 21 janarit dhe orës 9 të mëngjesit të 22 janarit, një periudhë 33-orëshe, Operacionet e Zbatimit dhe Largimit arrestuan më shumë se 460 emigrantë të paligjshëm që përfshijnë histori kriminale të sulmeve seksuale, grabitjeve, vjedhjeve me thyerje, drogës dhe veprat penale të armëve, rezistenca ndaj arrestimit dhe dhunës në familje.
Agjentët arrestuan shtetas nga një mori vendesh, duke përfshirë Afganistanin, Angolën, Bolivinë, Brazilin, Kolumbinë, Republikën Dominikane, Ekuadorin, El Salvadorin, Guatemalën, Hondurasin, Meksikën, Nikaraguan, Senegalin dhe Venezuelën.
Trump shpalli një emergjencë kombëtare në kufirin me Meksikën, duke mbyllur në mënyrë efektive kufijtë dhe duke i dhënë Pentagon-it mundësinë për të vendosur ushtrinë për të mbështetur punën e rojeve kufitare.
Një nga pasojat e dekreteve të Trump është ndalimi i hyrjes së azilkërkuesve që kishin përfunduar procesin dhe ishin gati të merrnin një fluturim – të rezervuar dhe paguar rregullisht – për të hyrë në SHBA.
Megjithatë, të gjitha fluturimet janë anuluar dhe programi i azilit është pezulluar. Masa prek rreth 10 mijë njerëz.
Administrata Biden kishte vendosur kufirin në 125 mijë azilkërkues. Edhe kjo kuotë është në shqyrtim.
Një memo dërguar ambasadave nga Sekretari i ri i Shtetit, Marco Rubio, thekson gjithashtu prioritetet e politikës së jashtme të SHBA-ve. Ndër këto është ndalimi i çdo nisme që synon nxitjen e emigracionit. /Albanianpost.com