Vjen nga një familje sportistësh dhe karrierën e tij e nisi në klubin e njohur si “Vertikal”, për të kaluar pastaj tek “KB Feronikeli”. Por, hapin e madh e bëri në vitin 2018, duke kaluar tek skuadra më e trofeshme kosovare, “KB Prishtina”.
Ky është Don Polloshka, njëri nga basketbollistët më të spikatur në Superligën e Kosovës i cili momentalisht mbron ngjyrat e skuadrës gjakovare, “KB Vëllaznimit”.
“Është skuadra më e madhe shqiptare, më e trofeshmja në Kosovë. Aty i kam njohur të gjithë si staf që kanë qenë, si lojtarë, menjëherë jemi shoqëruar sepse kemi qenë të Prishtinës, ka qenë Andi Rashica, Edo [Edon Azemi], Fisi [Fisnik Rugova] që menjëherë më kanë bërë që të ndihem si të jem në shtëpinë time dhe pastaj me kalimin e kohës jemi shoqëruar edhe më shumë dhe ka shkuar gjithçka mirë, nuk kam pasur ndonjë problem”, thotë Polloshka.
Pas tre sezoneve në kryeqytet, Polloshka ndryshoi skuadër duke iu bashkuar “Vëllaznimit”, por aventura aty nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai u detyrua t’iu nënshtrohej tri operacioneve brenda një viti.
“Në fillim të janarit lojën e parë e kam luajtur dhe në të dytën jam lënduar. ACL-ja [këputja e ligamenteve] dihet është lëndim i rëndë, ndër lëndimet që zgjatë më së shumti, jam bërë operacion në muajin shkurt ndërkohë e kam pasur edhe një ndërhyrje tjetër në zorrën qorre në fund të muajit maj…Në fund të muajit gusht më ka ndodhur prapë lëndimi i njëjtë, e kam këputur prapë ACL-në dhe në mes të muajit shtator është dashur patjetër të futem në operim nëse doja ta vazhdoja karrierën, dhe unë normalisht që doja pastaj nga shtatori [2023] deri në shtator [2024] ka zgjatur rikuperimi”, tregon më tutje Polloshka.
Polloshka është njëri nga basketbollistët më të shkurtër në vend – i gjatë 1.75, por kjo nuk i paraqet asnjë problem në përballje me kundërshtarët.
Madje, ai thotë se kjo është një përparësi sa i përket lëvizjeve dhe manovrimit me top.
“Për mua është përparësi në çdo aspekt. Normal që mund të ketë rol por për mua nuk është ndonjë problem i madh shtatlartësia që e kam. Ka lojtarë të mëdhenj në botë që kanë luajtur e luajnë ende edhe po më duket që ka filluar të kthehet basketbolli që luhet me lojtarë më të shkurtër”, thekson Polloshka.
Megjithëse në formë të jashtëzakonshme, Polloshka ende nuk është ftuar në Përfaqësuesen e Kosovës në basketboll, por ai pret që kjo të ndodh së shpejti.
“Aty nuk varet prej meje, kam dëshirë normalisht të luaj për Përfaqësuesen e Kosovës por nuk varet prej meje se a do të jem i ftuar apo jo…Së pari e bëj punën për klubin e “Vëllaznimit” pastaj për veten, dhe krejt në fund e bëj për të rënë në sy për dikë, e sidomos për Përfaqësuesen e Kosovës normalisht që është nder dhe privilegj të luash”, thotë Polloshka.
Ai e vlerëson lartë Superligën e Kosovës duke thënë se cilësia e skuadrave është rritur aq shumë sa tashmë nuk ka asnjë klub që shihet si favorit për t’u shpallur kampion.
“Me ardhjen e Borës në Superligë askush nuk e di se kush kë do ta mposhtë. Nga vendi i fundit që është Proton Cable Prizreni, e deri te vendi i parë që është Trepça, secili mund ta mposhtë njëri-tjetrin. Shpresoj të jetë gjithmonë kështu që të mos e dimë deri në fund se kush do të jetë kampion.”, thotë Polloshka.
Pas 18 xhirove të zhvilluara në Superligë, Vëllaznimi ka mbledhur 28 pikë dhe pozicionohet në vendin e katër në renditjen tabelare të elitës së basketbollit kosovar. /KosovaPress/