Deschampsi e sheh Zidanen si zëvendësues ideal

Përzgjedhësi i Francës në futboll, Didier Deschamps, e sheh Zinedine Zidanen si kandidatin “natyral” për ta zëvendësuar atë pasi të largohet nga përfaqësuesja franceze.

Deschampsi njoftoi muajin e kaluar se do të largohet pas Kupës së Botës 2026.

Ai ka pasur suksese të shumta qëkur e mori drejtimin e Francës në vitin 2012.

E fitoi Kupën e Botës 2018 dhe shkoi deri në finale në Botërorin e vitit 2022.

Ka pasur shumë raportime se vendin e Deschampsit te Franca do ta zërë Zidane.

“Zizou është kandidat shumë i mirë, natyral dhe njëri që pritet ta marrë drejtimin”, ka thënë Deschamps të premten në një intervistë për “L’Equipe”.

“Por përsëri, nuk e di nëse ai e dëshiron këtë post”.

52-vjeçari Zidane është trajner i papunë qëkur e përfundoi periudhën e dytë te Real Madridi.

Zidane me gjigantin spanjoll ka fituar tre trofe të Ligës së Kampionëve dhe dy herë ishte fitues i La Ligas.

Zidane dhe Deschamps kanë luajtur së bashku në mesfushë, kur “Les Bleus” triumfuan në Botërorin 1998 dhe në Evropian dy vjet më vonë./koha.net/

Read Previous

JD Vance thyen tabu

Read Next

Izraeli do të lirojë 369 palestinezë në këmbim të tre pengjeve