Raporti i BE-së: Ballkani Perëndimor përparime në veprimet mjedisore dhe klimatike

Ekonomitë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparim të dukshëm në harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian (BE) në fushën e mjedisit dhe klimës, duke përfshirë adaptimin e politikave, përmirësimin e procedurave të monitorimit dhe raportimit, si dhe fokusin e shtuar në objektivat për uljen e emisioneve të gazrave serrë.

Sipas raportit të publikuar nga Qendra e Përbashkët Kërkimore e Komisionit Evropian (JRC), cilësia e ajrit ka shënuar përmirësime, ndërkohë që ka shenja të përdorimit më të madh të burimeve të energjisë rinovueshme dhe investimeve të reja në infrastrukturën e ujërave të ndotura.

Megjithatë, përparimi ka qenë i ngadalshëm dhe disa çështje ende kërkojnë vëmendje.

Sipas analizës, cilësia e ajrit vazhdon të mbetet një problem i rëndësishëm për rajonin dhe për shtetet fqinje të BE-së, përkundër një tendence rëniesh në përqendrimet vjetore të ndotësve të ajrit.

Gjithashtu, emisionet e gazrave serrë janë ende të qëndrueshme dhe nuk ka ndryshime të dukshme në nivelin e përgjithshëm të këtyre emisioneve midis viteve 2015 dhe 2022.

Në vitin 2022, emisionet e gazrave serrë ishin 18% më të ulëta krahasuar me vitin 1990.

Raporti gjithashtu shqyrton ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe sfidat që lidhen me menaxhimin e ujërave, si përmbytjet, thatësirat dhe ndotja e ujërave.

Raporti, që ka për qëllim monitorimin e përparimit dhe mbështetje për procesin e anëtarësimit të rajonit në BE, thekson se menaxhimi i ujërave ka përballë shumë sfida.

Një tjetër problem i rëndësishëm që shqetëson rajonin është degradimi i tokës.

Erozioni i tokës është forma më e rëndë e degradimit, me humbje mesatare që arrijnë deri në 4.1 ton për hektar në vit, duke prekur rreth 40% të sipërfaqes totale të tokës.

Industria, përfshirë prodhimin e metaleve, kimikateve, dhe minierat, është kontribuuesja më e madhe në ndotjen e mundshme të vendeve, e cila ndikon në aftësinë e tokës për të mbështetur bujqësinë dhe ekosistemet.

Për të adresuar këto sfida, raporti thekson nevojën për bashkëpunim të shtuar midis shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve fqinje të BE-së, për të luftuar ndotjen dhe për të përmirësuar sistemet e monitorimit mjedisor.

Bashkëpunimi është thelbësor për zhvillimin e politikave efektive dhe për të garantuar mbledhjen e të dhënave të besueshme që do të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve mjedisore dhe klimatikë të rajonit.

Raporti bën thirrje për një angazhim më të madh për të mbështetur përpjekjet rajonale dhe për të mbushur hendekun e njohurive, që mund të pengojë zbatimin e strategjive efektive krahasuar me vendet e BE-së. /Albanianpost.com

Read Previous

Mosmarrëveshje në trafik, arrestohet i dyshuari që goditi me veturë dhe sulmoi fizikisht një qytetar

Read Next

Kriza e strehimit në Barcelonë, qasje e re inovative