Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, janë takuar në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Turqisë, e cila në një njoftim zyrtar bëri të ditur zhvillimin e takimit mes dy zyrtarëve.
“Ministri i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Konferenca e Sigurisë në Mynih, në kuadër të së cilës liderë botërorë dhe figura të njohura diskutojnë rreth politikës së jashtme dhe sigurisë, ka shërbyer gjithashtu si një platformë e vyer për adresimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja kosovare, Vjosa Osmani, kanë takuar për herë të parë të dërguarin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, i cili ka nisur mandatin nga 1 shkurti 2025. /Albanianpost.com