Presidenti i Hungarisë, Tamas Sulyok, e ka uruar Presidenten Vjosa Osmani për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në letër-urimin që e ka publikuar Presidenca, presidenti hungarez e ka ftuar Osmanin për vizitë zyrtare në Hungari. Si datë përmendet 17 qershori, shkruan Reporteri.net.
Sulyok ka theksuar mbështetjen e Hungarisë për zhvillimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar reformat e rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale që po ndërmerr Kosova në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Jemi të bindur se reformat e nevojshme për arritjen e statusit të kandidatit për anëtarësim do të përmbyllen me sukses sa më shpejt të jetë e mundur”, ka theksuar ai, duke shprehur angazhimin e Hungarisë për ta mbështetur këtë proces./reporteri/