Sports Render: ‘Stadiumi Kombëtar’ i Shqipërisë, model i suksesshëm biznesi

“Sports Render” një faqe e specializuar për impiantet e futbollit në mbarë botën i ka kushtuar një hapsirë “Stadiumit Kombëtar’ të Shqipërisë duke e quajtur “model të suksesshëm biznesi”.

Ka pesë pika që e veçojnë impianin e vendosur në zemër të kryeqytetit, Tiranë, sipas medias së sipërpërmendur.

“Stadiumi Kombëtar” i Shqipërisë është një nga projektet më të suksesshme të infrastrukturës sportive në vend. Përveç një arene moderne për ndeshjet e Kombëtares shqiptare, ajo është zhvilluar si një qendër multifunksionale që gjeneron të ardhura gjatë gjithë vitit”, thuhet në shkrimin e “Sports Render”-it.

Por, çfarë e bënë atë të veçantë?

Përdorimi shumëfunksional

Stadiumi nuk përdoret vetëm për futboll, por edhe për ngjarje të tjera si koncerte, konferenca dhe aktivitete biznesi duke shtuar këtu hotelin “Marriott” dhe kjo qasje maksimizon përdorimin e hapësirës dhe siguron të ardhura të qëndrueshme.

Hapësirë ​​tregtare dhe afariste

Brenda stadiumit ka dyqane, kazino, bare, restorante dhe zyra, të cilat e bëjnë atë një qendër tërheqëse edhe jashtë ditëve të ndeshjeve. Këto biznese përfitojnë nga fluksi i vizitorëve dhe fansave.

Sponsorizimet dhe Partneritetet

Emri “Air Albania Stadium” është rezultat i një marrëveshjeje sponsorizimi, duke sjellë përfitime të konsiderueshme financiare (tashmë pritet një emër i ri pas skadimit të kontratës me “Air Albania”-n).

Përveç kësaj, stadiumi bashkëpunon me kompani të ndryshme për reklama dhe promovime.

Përvoja e turizmit dhe tifozëve

Stadiumi është kthyer në një atraksion turistik për vizitorët. Kjo rrit ndërveprimin me publikun dhe sjell të ardhura shtesë.

Biletat dhe Ekskluziviteti

Sistemi i biletave dhe ofertat ekskluzive për zonat VIP, skyboxet dhe shërbimet premium krijojnë mundësi të mëdha fitimi.

“Ky model biznesi e ka bërë stadiumin jo thjesht një objekt sportiv, por një motor të qëndrueshëm ekonomik që ndihmon në zhvillimin e mëtejshëm të sportit dhe ekonomisë lokale”, përfundon kështu shkrimin “Sports Render”.

Gjithashtu, më herët, “Sports Render” e kishte cilësuar “Stadiumin Kombëtar” si një nga 10 impiantet kombëtare më të mirë në Evropë.

“I hapur në vitin 2019 në Tiranë, ky stadium modern është shtëpia zyrtare e Kombëtares shqiptare të futbollit dhe simbol i përparimit të infrastrukturës sportive të vendit”.

Kujtojmë se Kombëtarja shqiptare do të rikthehet të luajë në “Stadiumin Kombëtar” gjatë muajt mars kur të fillojnë kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

Shqipëria, e shortuar në Grupin K së bashku me Anglinë, Andorrën, Serbinë dhe Letoninë, do të luajë takimin e dytë kualifikues në këtë stadium, përballë Andorrës, më 24 mars, tri ditë pas transfertës së “Wembley”-t ndaj “Tre Luanëve”.

Më 7 qershor, kuqezinjtë do të presin Serbinë në “Stadiumin Kombëtar”, teksa aty do të rikthehen edhe në dy data të tjera: më 9 shtator kur të përballen me Letoninë; më 16 nëntor kur të presin Anglinë. /Albanianpost.com

Read Previous

Zgjedhjet në Gjermani

Read Next

Kush është Dan Caine, zgjedhja e Trump për të qenë oficeri më i lartë amerikan