Qeveria e Kosovës është duke mbajtur mbledhje solemne në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hapje të mbledhjes tha se Epopeja e UÇK-së ka përcaktuar historinë e Kosovës si shtet. Ai tha se emrat, Shaban, Adem dhe Hamzë janë kthyer në absolutët tanë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Ato tri ditë të marsit i kemi quajtur Epopeja e UÇK-së. Ngjarje që përmblidhet nën fjalën Epope krejt sikurse emri që i është vënë na e ka ritmuar historinë tonë bashkëkohore në më shumë se një çerek shekulli. Emrat, Shaban, Adem dhe Hamzë janë kthyer në absolutët tanë.
Në atë lëndinë të Prekazit emrat Jashari dhe të tjerët që prehen me ta janë emrat absolut të lirisë. Na takon ne si popull e shoqëri në qeverisje e zhvillim, ta ruajmë atë ritëm të bërjes së historisë. Epopeja e UÇK-së ka vetëm një adresë lirinë nga pushtuesi serb dhe vetëm një horizont bashkimin tonë. Që nga ajo ditë çdo politikë e jona në parim është e përcaktuar. Çdo komb i ka vendet e tij të shenjtë që bëhen data historike, nëse një popull dhe qeveria e tij ndjekin udhën e përcaktuar sipas këtyre vendeve të shenjta atëherë historia e tyre shtetërore është në përputhje e koherencë me historinë kombëtare”, tha Kurti.
Kurti tutje tha se çdo ngushtim i politikës sonë në treva e krahina është përpjekje për korruptim të kësaj epopeje dhe se çdo përvetësim i Epopesë dhe i luftës është korruptim i idealit të Epopesë.
“Çdo kompromis me Epopenë dhe përcaktimin e saj është kompromis dhe pazar me qenien, me lirinë tonë i cili sjell më pak liri, sjell robëri. Sovraniteti është një empancipim, çdo lëshim në kufi, apo në veri ishte vetëm një korruptim i sovranitetit në të kaluarën. Ne i kemi shpallur zotimet tona si për mandatin e shkuar, ashtu edhe të ardhmin për luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Organizimi më i madh i krimit burimin e ka në vendet ku është bërë kompromis me lirinë e përcaktimit të një shteti me sovranitetin e tij. Jam krenar të deklaroj se ne jemi në udhën e përcaktuar nga Epopeja dhe kemi ecur për 4 vjet qeverisje në ritmin e saj dhe në përcaktimin e hapur prej saj.
Çdo ngushtim i politikës sonë në treva e krahina është përpjekje për korruptim të kësaj epopeje. Çdo përvetësim i Epopesë dhe i luftës është korruptim i idealit të Epopesë. Epopeja duhet të jetë momenti në kuptimin e vërtetë të fuqisë së një vektori për të përcaktuar historinë e mëtejshme, pra momenti i sublimit të sakrificës dhe vuajtjes në krenari të një populli të tërë nga të gjitha trevat. As edhe Kosova nuk e ka të drejtën që si e vetme ta përvetësojë heroizmin e Prekazit. Prekazi u përket të gjithë shqiptarëve që mbajnë këtë emër, por edhe të gjithë popujve liridashës përgjatë historisë”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë. /Reporteri.net/