Universiteti i Oksfordit ka bërë marrëveshje për partneritet me kompaninë për inteligjencë artificiale, OpenAI, e cila është lansuese e robotit virtual ChatGPT.
BBC-ja ka raportuar se bashkëpunimi do të zgjasë pesë vjet, duke bërë që studentët dhe stafi të kenë qasje në fonde e mjete të AI, për të rritur nivelin e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor.
Sipas universitetit, disa koleksione publike të Bibliotekës Bodleian do të digjitalizohen gjithashtu, si pjesë e skemës së re. Brad Lightcap, shef operativ i OpenAI ka deklaruar se bashkëpunimi me komunitetin akademik është thelbësor për të ndërtuar një AI prej të cilit përfitojnë të gjithë.
Studiuesit do të kenë qasje në modelet më të fundit të OpenAI, duke përfshirë një version të ChatGPT të krijuar enkas për institucione arsimore.
Financimi i granteve kërkimore po ashtu do të jetë i qasshëm për projekte që përfshijnë punën me kompaninë, me bazë në rajonin e Silicon Valley të Californias.