SHBA kundërshton planin alternativ të rindërtimit të Gazës

Administrata Trump ka hedhur poshtë një plan të shumëpritur për rindërtimin e Gazës të miratuar nga liderët arabë, duke thënë se presidenti qëndron në vizionin e tij që përfshin dëbimin e banorëve palestinezë të territorit dhe transformimin e tij në një “rivierë” në pronësi të Shteteve të Bashkuara.

“Propozimi aktual nuk adreson realitetin se Gaza është aktualisht e pabanueshme dhe banorët nuk mund të jetojnë në mënyrë njerëzore në një territor të mbuluar me mbeturina dhe municione të pashpërthyera”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Brian Hughes në një deklaratë të martën mbrëma, raporton CNN.

“Presidenti Trump i qëndron vizionit të tij për të rindërtuar Gazën të lirë nga Hamasi. Ne presim bisedime të mëtejshme për të sjellë paqe dhe prosperitet në rajon.”

Plani i pasluftës për Rripin e Gazës, i cili u propozua nga Egjipti dhe i bën thirrje Hamasit që t’ia dorëzojë pushtetin një administrate të përkohshme derisa Autoriteti Palestinez i reformuar (PA) të mund të marrë kontrollin, do të lejonte që rreth 2 milionë palestinezët e tij të mbeten, ndryshe nga propozimi i Trump.

Duke folur në Kajro, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, u zotua se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në Bregun Perëndimor, Gaza dhe Jerusalemin Lindor të pushtuar për herë të parë në gati dy dekada “nëse rrethanat janë të përshtatshme”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ende refuzon të thotë atë që ai parashikon për të ardhmen e pasluftës së Gazës, përveçse thotë se ai miraton planin e Trump-it për “një Gazë ndryshe”. Dhe ai mendon se as Autoriteti Pelstinez dhe as Hamasi nuk duhet të qeverisin Gazën.

Propozimi prej 53 miliardë dollarësh nga vendet arabe kërkon rindërtimin e Gazës deri në vitin 2030. Faza e parë kërkon fillimin e heqjes së municioneve të pashpërthyera dhe pastrimin e më shumë se 50 milionë tonë rrënoja të mbetura nga bombardimet dhe ofensivat ushtarake të Izraelit.

Zyrtarët jordanezë i thanë CNN më herët se plani do t’i paraqitet presidentit Donald Trump në javët e ardhshme.

Megjithëse shtetet arabe miratuan planin e Egjiptit, shtrirja e mbështetjes së tij rajonale mbetet e pasigurt. Veçanërisht, liderët e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe – vende të pasura të Gjirit, mbështetja financiare e të cilave do të ishte jetike për çdo strategji të pasluftës – munguan në samit. Ndërkohë, presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune e bojkotoi takimin, duke përmendur “zhbalancime dhe mangësi” dhe duke e kritikuar atë si “monopolizuar nga një grup i kufizuar dhe i ngushtë vendesh arabe”./rtklive

Read Previous

Bllokohet përkohësisht autostrada “Ibrahim Rugova”

Read Next

Kina i përgjigjet Trump: Nëse SHBA dëshiron “luftë” tregtare, ne jemi gati