Ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, të enjten ka njoftuar se Franca i ka ofruar inteligjencë Ukrainës, një ditë pasi Washingtoni ka njoftuar se do të pezullojë ndarjen e inteligjencës me Kievin, si pjesë e përpjekjeve për të vënë nën presion presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke shtyrë Zelenskyn të bashkëpunojë me presidentin Donald Trump për bisedime për paqe me Rusinë.
“Ne kemi burime të inteligjencës që ne i përdorim të ndihmojmë ukrainasit”, ka deklaruar Lecornu.
“Është pezulluar që nga dje në mbrëmje”, ka shtuar ai, duke ju referuar ndihmës së inteligjencës nga SHBA-ja për Ukrainën. “Mendoj se për miqtë tanë britanikë që janë në komunitet të inteligjencës me SHBA-në, është më e komplikuar”, ka deklaruar ai, duke dhënë indikacione që Britania e ka më të vështirë të ndihmojë Ukrainën me inteligjencë.