Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoninë e Veriut kishte njoftuar disa ditë më parë se është duke inspektuar të gjitha dërgesat e ujit të importuar burimor nga Kosova, pasi në analizat laboratorike të kryera në një mostër uji është zbuluar prania e bakterit koliform në ujin burimor “Rugova”.
Megjithatë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) ka deklaruar se deri më tani nuk është refuzuar asnjë ngarkesë e ujit të ambalazhuar nga Kosova nga ndonjë shtet.
AUV-i ka shtuar se nuk kanë pranuar asnjë informacion zyrtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për dyshime rreth sigurisë së ndonjë ngarkese me ujë për pije.
“Pas raportimeve në media mbi dyshimet për sigurinë e produktit ujë ‘’Rugove’’, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur gjurmimin e plotë për prodhimet e brendit në fjalë. Fillimisht si autoritet nuk kemi pranuar asnjë informatë zyrtare nga Autoriteti i Maqedonisë se Veriut, për dyshime rreth sigurisë se ndonjë ngarkese me produkt ujë për pije”, thuhet në komunikatën e AUV-it.
Sipas tyre, nga të dhënat e kontrollit kufitar nuk është gjetur asnjë ngarkesë me ujë të refuzuar apo kthyer nga ndonjë shtet tjetër gjatë kësaj periudhe kohore.
“Autoritete e kufirit qe funksionojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit (AUV, Dogant dhe Policia) bëjnë një trajtim të veçantë në rastet e ngarkesave te refuzuara/ mallrat me origjine dhe të eksportuara nga Kosova”.
Ndërkaq, theksohet se nga dita e pranimit të informacionit, ky institucion ka nisur gjurmimin e të gjitha të dhënave për këtë operator ekonomik. Sipas të dhënave të AUV-it, në muajin e fundit janë eksportuar gjithsej 27 ngarkesa.
“Të cilat janë certifikuar ne baze të rezultatit të analizave laboratorike, të cilat janë kryer në Institutin Kombëtar te Shëndetit Publik të Kosovës. Ne këto rezultate te analizave është i përfshirë edhe parametri lidhur me “prezencën e bakterit koliform”. Ku në secilin rezultat është konfirmuar se nuk është gjetur ky bakter në produktin uji i ambalazhuar i kompanisë “Rugova”. Raportet e Analizave i posedon AUV, rezultatet janë negative ( pa prezencë të baktereve)”.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) është njoftuar se uji burimor “Rugova” kontrollohet rregullisht në laboratorët e këtij institucioni dhe, sipas tyre, nuk janë gjetur asnjëherë baktere të dëmshme për shëndetin e konsumuesve. /Albanianpost.com