”World-architects”: Tirana, një laborator rinovimi arkitektonik

Prej disa vitesh, Shqipëria ka nisur një proces ambicioz të transformimit urban, me synimin për të ripërcaktuar identitetin e saj dhe për të projektuar veten në skenën ndërkombëtare, shkruan Antonio La Gioia për *world-architects.

Ky proces i përshpejtuar pas tërmetit të 2019-ës, e ka kthyer kryeqytetin, Tiranën, në një laborator rinovimi arkitektonik, i aftë për të tërhequr investime dhe për të mbledhur arkitektë të njohur.

Disa nga zërat më të rëndësishëm në arkitekturën ndërkombëtare tashmë po lënë gjurmët e tyre në vend. MVRDV ka përfunduar rrokaqiellin ”Downtown One” dhe transformimin e Piramidës së Tiranës.

BIG – Bjarke Ingels Group fitoi konkursin për Xhaminë dhe Qendrën Islame të Tiranës si dhe për Teatrin e ri Kombëtar Shqiptar.

Valerio Olgiati është duke projektuar Qendrën Kulturore Namazgja dhe 3XN ka përfunduar ”Arena Kombëtare”, stadiumi kombëtar shqiptar.

”Tirana 2030 Riverside”, masterplani i Stefano Boeri me SON-Group, në bashkëpunim me ”Mobility In Chain”, ”Studio Laura Gatti”, ”SCE Project”, ”ESA Engineering” dhe ”Transsolar” ridizajnon një pjesë të rëndësishme të qytetit nga një këndvështrim i qëndrueshëm. Plani propozon një model të ri zhvillimi urban në përgjigje të nevojave për strehim që u ngritën pas tërmetit dhe pandemisë.

Në këtë panoramë të vrullit arkitekturor, Ricardo Bofill Taller de Arquitectura po zhvillon aktualisht tre projekte të mëdha: Kullën e Barcelonës dhe Kullën Papuli në Tiranë dhe resortin ”Red Sol” në Dhërmi, qytet bregdetar rreth 200 kilometra në jug të Tiranës.

Kulla e Barcelonës, me lartësinë e saj 190 metra, ripërcakton profilin urban të Tiranës me një gjest thjeshtësie të dukshme: një rrotullim elegant i vëllimit prizmatik rreth boshtit të saj vertikal. Kjo kthesë, e frymëzuar nga fustanella, fundi tradicional ballkanik, i jep ndërtesës një prani monumentale dhe, në të njëjtën kohë, përmirëson performancën e saj aerodinamike.

Kulla Papuli mbart kujtesën e La Fábrica, selisë ikonë të Barcelonës të Ricardo Bofill Taller de Arquitectura, ku ish-kapanonët industrialë u shndërruan në hapësira pune. Në këtë projekt të ri, vëllimet cilindrike ngrihen deri në 190 metra duke ruajtur gjurmën origjinale industriale dhe duke e riinterpretuar atë në një fasadë bashkëkohore me gjeometri të rafinuar.

Resorti ”Red Sol” në Dhërmi dialogon me disa nga projektet më emblematike të studios, si ”The Red Wall” dhe ”Walden 7”.

I vendosur në rivierën shqiptare, kompleksi është i organizuar në një rrjet të rregullt ortogonal, i cili fiton dinamizëm dhe plasticitet përmes variacionit në lartësinë e vëllimeve të tij. Në dialog me malet përreth, projekti shfaqet si një kështjellë e materialitetit të theksuar, e ankoruar në peizazh./  a.jor.

* World-Architects është një rrjet premium i bazuar në anëtarësimin e arkitektëve të përzgjedhur bashkëkohorë dhe profesionistëve të ndërtimit, që mbrojnë cilësinë në arkitekturë. I filluar në 1994 nga PSA Publishers Ltd në Zvicër, World-Architects ishte pionier i botimit në internet të arkitekturës. Sot, mbi 20 platforma kombëtare dhe rajonale online përfaqësojnë arkitektë, arkitektë të peizazhit, dizajnerë të brendshëm, inxhinierë, dizajnerë ndriçimi, prodhues dhe fotografë arkitekturë nga mbi 50 vende. /ATSH/

Read Previous

SHBA | CDC synon të kryejë një studim për të hetuar lidhjen midis vaksinave dhe autizmit

Read Next

Policia britanike publikon pamjet e arrestimit të spiunëve të Putinit