Manchester United po përpiqet t’i japë sadopak kuptim këtij sezoni zhgënjyes duke synuar një vend në çerekfinalet e Europa League. Pas barazimit 1-1 ndaj Real Societad në ndeshjen e parë, sot “djajtë e kuq” do të luajnë në fushën e tyre.
Mesfushori danez Christian Eriksen, foli për këtë sezon të vështirë në një intervistë për BBC, ku u shpreh: “Ne e dimë presionin që kemi mbi vete sepse e dimë situatën në të cilën ndodhemi”.
“Për të hyrë në Evropë sezonin e ardhshëm, do të duhet të fitojmë shumë ndeshje në Premier League ose të fitojmë Europa League”, shtoi më tej Eriksen, që pritet të lerë skuadrën këtë verë.
Ai është i vetëdijshëm se tani rruga evropiane mund të jetë jetike për të qenë në gjendje të vazhdojë të luajë në skenën ndërkombëtare edhe sezonin e ardhshëm. Aktualisht, “djajtë e kuq” janë në vendin e 14-të në Premier League.
“Nuk është argëtuese kur sheh renditjen. Ne duam të ngjitemi më lart, pasi jemi Manchester United. Shpresojmë që në fund të sezonit të jemi më lart dhe mund ta harrojmë atë, por për momentin duhet të luftojmë për të”, tha Eriksen. /Telesport.al/