Mesfushori defensiv i Bayern Munichut, Joshua Kimmich, ka nënshkruar kontratë të re deri në vitin 2029, ka njoftuar të enjten lideri i Bundesligës gjermane.
Kimmich i bashkohet Jamal Musialas dhe Alphonso Daviesit, të cilët po ashtu kanë vazhduar kontratën për kohë të gjatë.
“Te Bayerni e kam ambientin më të mirë për të arritur synimet sportive. Për këtë arsye është marrë ky vendim. Për momentin nuk ka bashkëlojtarë, staf trajnerësh dhe ambient më të mirë se ky klub për ta arritur maksimumin. Ndihem në shtëpi këtu dhe ende kam për të dhënë”, ka thënë reprezentuesi i Gjermanisë për faqen zyrtare të klubit.
30-vjeçari Kimmich iu bashkua Bayernit para një dekade. Ai ka fituar tetë tituj të Bundesligës, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube.
Bayerni ka tetë pikë më shumë se vendi i dytë Bayer Leverkuseni, që është kampion në fuqi i Gjermanisë.
Bayerni po ashtu në muajin prill luan në çerekfinale të Championsit ndaj Interit./Koha.net