Manchester City barazoi 2-2 ndaj Brighton në kampionat, duke marrë vetëm një pikë. Ky nuk ishte rezultati që “citizens” synonin. Sulmuesi Omar Marmoush, i ardhur nga Eintracht Frankfurt në janar, komentoi: “Lojtarët dhe stafi janë fantastikë këtu”.
“Unë thjesht po përpiqem të mësoj gjithçka që mundem, të dëgjoj trajnerin dhe gjithçka që ai na thotë. Shënova një gol, por në fund nuk mjaftoi për të marrë tre pikët, ndaj nuk është ndjenja më e mirë. Ne do të vazhdojmë”, tha Marmoush.
Duke folur për kualifikimin në Champions League, ai shtoi: “Është një sfidë, por ne do të bëjmë gjithçka për ta arritur atë. Do të ulim kokën dhe do të përpiqemi të punojmë sa më shumë që të mundemi për t’ia dalë mbanë”.
“Kur jemi në fushë ne gjithmonë japim 100% dhe shpresojmë që në fund të sigurojmë atë vend në Champions. Duhet të tregojmë cilësinë tonë, të kemi më shumë besim, ta mbajmë topin më shumë dhe të bëjmë atë që ka bërë gjithmonë Manchester City”, tha Marmoush. /Telesport.al/