Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thotë se hyrja në Bashkimin Europian është një fitore për të gjithë shqiptarët.
Në rubrikën “Sy m’sy” ku ju përgjigj komenteve të qytetarëve në platformat sociale kreu i qeverisë tha se nëse bëhemi bashkë me 11 maj do të marrim pasaportën e BE-së duke shtuar se në mandatin e katërt synon përmbylljen e negociatave.
“Pasaporta Evropiane është shumë më tepër sesa lëvizja e lirë. Ata që duan të rrinë, të rrinë, jo të bëjnë kërkesë për azil, jo të punojnë në të zezë, shkurt fare qytetar të dorës së dytë. Ndërkohë që pasaporta evropianë na bën qytetarë të dorës së parë. Nuk na duhet të rrimë në radhë, mund të kërkojnë punë ku të duam”, u shpreh Rama.
“Pasaporta e BE-së na jep mundësinë që Shqipëria të bëhet sa BE dhe BE sa Shqipëria. Është gjitha një Shqipëri e madhe që të lëvizim. Është dinjiteti me dinjitet të barabartë të respektuar. Pasaportën mund ta marrim nëse bëhemi bashkë më 11 maj dhe marrim bashkë një mandat të fuqishëm për të përmbyllur negociatat pa humbur asnjë minutë kohë, pa asnjë diskutim të brendshëm këtu”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se vendi ka ecur me hapa të shpejtë drejt integrimit të BE-së duke lënë pas vendet të rajonit, si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut si dhe Serbia, kjo për faktin se Shqipëria ka ndërtuar shtet për të negociuar me BE-në.
“Të negociosh me BE-në do të thotë të kesh një institucion të besueshëm disa standarde bazë siç janë në BE. Po bëjmë shtet se pikërisht negociata dhe hyrja në BE janë testi dhe provimi i shtetit. Janë 27 anëtarë të BE dhe ky shteti i tjetër i ri ka parametrat e një shteti që të jetë pjesë e kësaj krushqie”, u shpreh Rama.
Rama tha se futja e vendit në BE është çështje mbi partitë politike.
“Ne fusim Shqipërinë ne BE, sepse këtu ishte Shqipëria aty ishte BE. Kur morëm detyrën nuk na hidhte njeri sytë. Shiko vetëm turizmin. Pse bukuritë e natyrës nuk ishin aty lumi Vjosa nuk ishte aty. Po Ksamili nuk ishte aty, po malet që janë mbushur me turistë sot nuk ishin aty, por qytet nuk ishin aty, Berati Gjirokastra, Tirana, Korça, si ka mundësi që të gjitha këto u kthyen në destinacione turistike. Puna, puna puna, ditë natë, natë ditë. Këtu nuk bëhet fjalë për mua, por për diçka shumë më të madh për t’ju dhënë pasaportën BE-së fëmijëve të këtij vendi. Për këtë duhet kapërcyer mbi partitë”, tha Rama. /ATSH/