Sulmet ndaj pronave që kanë logon e kompanisë së veturave elektrike të Elon Muskut janë duke u rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nëpër botë. Derisa nuk është raportuar për të lënduar, sallonet e Teslas, parkingjet e veturave, stacionet e mbushjes dhe vetura private kanë qenë cak nga sulmet. Në Kanada, Tesla është larguar nga një shfaqje ndërkombëtare e veturave si pasojë e shqetësimeve për sigurinë.
Ka pasur rritje të dukshme të numrit të sulmeve ndaj Teslave që kur presidenti Donald Trump ka marrë detyrën dhe i ka dhënë detyrë Elon Muskut që ta mbikëqyr Departamentin e ri të efiçiencës qeveritare (DOGE), i cili është duke tkurrur shpenzimet qeveritare. Ekspertët e ekstremizmit të brendshëm në SHBA, thonë se është e pamundur të dinë kaq herët nëse kjo seri e sulmeve do të vazhdojë edhe më gjatë.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, pronat e tij në New York City, Washington dhe vendet e tjera u bënë vende të natyrshme për protesta. Në ditët e para të mandatit të dytë, Tesla është duke e mbushur atë rol.
“Tesla është një cak i lehtë”, ka deklaruar Randy Blazak, sociolog që studion dhunën politike. “Ata po shfaqen në rrugët tona. Ata kanë sallone shitjesh në lagjet tona”, ka shtuar ai.
Kritikët e Muskut kanë organizuar shumë protesta paqësore në sallonet e shitjes së Teslas dhe në fabrikat në Amerikën Veriore dhe Evropë. Disa pronarë të Teslave, duke përfshirë edhe një senator amerikan i cili ka kundërshtuar Muskun, kanë deklaruar se do t’i shesin veturat e tyre Tesla.
Por sulmet janë duke mbajtur forcat e ligjit të zëna.
Prokurorët në Kolorado kanë akuzuar një grua muajin e kaluar për lidhje me një numër sulmesh ndaj salloneve të Teslas, duke përfshirë koktej molotovi të hedhur në vetura dhe vendosjen e mbishkrimit “vetura naziste” në një ndërtesë.
Agjentët federalë në Karolinën e Jugut, javën e kaluar, kanë arrestuar një burrë që ata thonë se ka djegur stacionet e mbushjes së Teslas afër Charlestonit. Një agjent nga Byroja për alkool, duhan, armë të zjarrit dhe eksplozivë ka shkruar në një deklaratë betimi se autoritetet gjetën shkrime kritike ndaj qeverisë dhe DOGE në dhomën e tij të gjumit dhe portofolin e tij.
“Në deklaratë përmendet dërgimi i një mesazhi të bazuar në këto besime”, ka shkruar agjenti.
Numri më i madh i incidenteve të mëdha është raportuar në qytetet me shumicë popullore të majtë në veriperëndim të Bregut të Paqësorit, sikur Portland, Oregon, dhe Seattle, ku qëndrimet ani-Trump dhe anti-Musk janë më të shprehura.
Një burrë nga Oregoni po përballet me akuza pas dyshimeve se ka hedhur disa koktej molotovi në një sallon të Teslas në Salem, dhe se ka gjuajtur me armë në dritare të sallonit. Në lagjen Tigard të Portlandit, gjatë javës së kaluar më shumë se 10 plumba janë gjuajtur ndaj një salloni të Teslas, duke dëmtuar veturat dhe dritaret, hera e dytë brenda javës që salloni ka qenë cak i sulmeve.
Katër Cybertrucks janë djegur në një parking të Teslas në Seattle më herët gjatë muajit. Javën e kaluar dëshmitarët kanë parë një burrë që ka hedhur benzinë në një Tesla Model S pa njerëz dhe ka nisur një zjarr në një rrugë në Seattle.
Në Las Vegas, disa vetura Tesla janë djegur këtë javë jashtë një zone shërbimi për veturat Tesla dhe fjala “rezisto” është shkruar me të kuqe në dyert e një ndërtese përballë. Autoritetet kanë njoftuar se minimumi një person ka hedhur koktej molotovi – bomba të thjeshta të mbushura me naftë apo me lëngje të tjera të djegshme – dhe ka gjuajtur disa plumba nga një makinë ndaj veturave të Teslas.
“A ishte kjo terrorizëm? A ishte diçka tjetër? Sigurisht ka disa parametra që ne mund t’i mendojmë – shkrimi në mure, potencialisht agjendë politike, një akt dhune, asnjë nga këta faktorë nuk na kanë shpëtuar”, ka deklaruar Spence Evans, agjenti special i cili drejton zyrën e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) në Las Vegas, gjatë një konference për media.
Tesla bëhet cak i të majtëve
Më herët Tesla ka qenë e dashura e së majtës. E ndihmuar nga një borxh federal për zhvillim prej 465 milionë dollarëve gjatë administratës së Obamas, kompania popullarizoi veturat elektrike dhe ka treguar se, edhe pse një reputacion të hershëm, ata nuk duhet të ishin të vegjël, të ngurtë, të pafuqishëm dhe të kufizuar.
Kohëve të fundit Musku ka lidhur aleancë me të djathtën. Ai e bleu rrjetin social Twitter dhe e riemëroj atë X, duke larguar edhe ndalesat që i kanë penguar konservatorët. Sipas disa pretendimeve ai ka shpenzuar 250 milionë dollarë për fushatën e vitit 2024 të kandidatit republikan për president, Donald Trump, duke u bërë donatori më i madh me një diferencë shumë të lartë.
Musku që vazhdon ta udhëheqë Teslan – si dhe X-in dhe prodhuesin e raketave SpaceX – në të njëjtën kohë shërben edhe si këshilltar i Trumpit.
Stoqet e Teslas janë dyfishuar në vlerë gjatë javëve të para pas zgjedhjes së Trumpit por që nga atëherë kompania i ka humbur të gjitha fitimet.
Trumpi i dha një rritje kompanisë kur e shndërrojë oborrin e Shtëpisë së Bardhë në një sallon të veturave elektrike. Presidenti i ka promovuar veturat elektrike dhe ka thënë se do të blejë një Model S që kushton 80,000 dollarë, duke i shmangur kritikat e tij të ashpra të bëra në të kaluarën ndaj automjeteve elektrike.
Tesla nuk i është përgjigjur kërkesës së AP-së për koment. Musku shkurtimisht të hënën e kaluar ka folur për vandalizmin gjatë një podcasti me senatorin Ted Cruz, duke thënë “se tek e fundit një pjesë e tij është e organizuar dhe paguar nga organizatat e majta në Amerikë, të financuara nga miliarderët e majtë, esencialisht”.
“Ky nivel i dhunës është çmenduri dhe thellësisht gabim. Tesla vetëm prodhon makina elektrike dhe nuk ka bërë asgjë për të merituar këto sulme djallëzore”, ka shkruar Musk të martën në rrjetin e tij social “X” pasi ka shpërndarë një video të Teslave të djegura në Las Vegas.
Grupi progresiv “Indivisible”, i cili publikoi një udhëzues për mbështetësit për të organizuar protesta “Musku ose ne” në të gjithë vendin, në një deklaratë ka thënë se të gjitha udhëzimet e tij janë të disponueshme publikisht dhe “kjo eksplicitisht inkurajon protestën paqësore dhe dënon çdo akt dhune apo dëmtimi”.
Disa pronarë të Teslave kanë vendosur figura ngjitëse për të distancuar vetën nga stigma e re e makinës së tyre dhe ndoshta për të parandaluar vandalizmin që do të mund të ndodhë. Ata shkruajnë mbishkrime si “e bleva këtë para se ne të marrim vesh se Eloni ishte i çmendur” apo “unë vetëm doja një veturë elektrike, më falni njerëz”.
Çmimet për Cybertruckat e përdorur, produkti më i veçantë i Teslas, kanë rënë për afër 8% që kur Trumpi ka marrë detyrën, sipas CarGurus, ndërkohë që tregu në përgjithësi ka qenë stabil gjatë kësaj periudhe.
Shtëpia e Bardhë premton “goditje të forta”
Shtëpia e Bardhë ka mbështetur Muskun, profilin më të lartë të administratës së Trumpit dhe donatorin kyç në komitetet që promovojnë interesat politike të presidentit. Trumpi ka thënë se vandalizmi ndaj Teslas arrin në “terror të brendshëm”, dhe ka kërcënuar me hakmarrje, duke paralajmëruar se ata që sulmojnë kompaninë do të “shkojnë përmes ferrit”.
Prokurorja e përgjithshme Pam Bondi, ka thënë se do të hapë një hetim “për të parë se si po financohet dhe kush është mbrapa saj”.
“Nëse do të prekësh një Tesla, shko në një sallon, bëj gjithçka, ki kujdes sepse ne do të vijmë për ju”, ka deklaruar Bondi të premten në Fox Business Network. Në një deklaratë të martën ajo ka premtuar se “do të vazhdoj hetimet që do të shkaktojnë pasoja të rënda, duke përfshirë edhe për ata që operojnë prapa skenave për të koordinuar dhe financuar këto krime”.
Colin Clarke, një studiues i lartë në Soufan Center, ka deklaruar se dhuna politike e krahut të majtë ka tendencë të ketë si objektiv pasuritë dhe jo njerëzit. Ai e sheh rritjen e grupeve neo-naziste si një kërcënim më të madh për sigurinë në këtë moment.
“Nuk është lloji i aktit që unë do t’i jepja prioritet, jo tani krahasuar me të gjitha kërcënimet e tjera që ekzistojnë”, ka deklaruar Clarke.
Theresa Ramsdell, presidente e Tesla Owners of Washington state, një klub për entuziastët e Tesla-s, dhe bashkëshorti i saj janë pronarë të tri makinave Tesla. Ajo ka thënë se “mund të urreni Elonin dhe Trumpin sa të doni — kjo është në rregull dhe është zgjedhja juaj. Por kjo nuk e justifikon shkatërrimin e pasurisë së dikujt, vandalizmin, shkatërrimin apo djegien e saj. Ka mënyra të tjera për të shprehur mendimin tuaj që janë më efektive”.
Ramsdell së fundmi ka ngjitur mbishkrimin “jo Elon” në bagazhin e Cybertruck-ut të saj, por ajo ka theksuar se nuk e ka ndërmend të ndalojë së vozituri Tesla-t e saj. “Anëtarët e tjerë të klubit kanë marrë një qëndrim të ngjashëm”, ka shtuar ajo.
“E dua makinën time. Ajo është makina më e sigurt. Nuk do të lejoj që dikush tjetër të më gjykojë për makinën që vozis”, ka shtuar Ramsdell./koha.net/