Seanca e shqyrtimit ndaj tre të akuzuarve të cilët gjenden në paraburgim, për rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, shtatorin e vitit 2023, do të mbahet më 17 prill.
Kështu konfirmoi për gazetën online Reporteri.net, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve V.T., B.S. dhe D.M. është caktuar të mbahet me datë 17.04.2025 në ora 09:30″, tha Gashi për Reporteri.net.
Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale, por vetëm tre prej tyre – Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq – janë në dispozicion të organeve të drejtësisë.
Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq u arrestuan pas sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile. /Rporteri.net/