Barcelona do të luajë në finalen e Kupës së Mbretit, teksa një pjesë e madhe e suksesit i takon Hansi Flick. Gjermani do ta drejtojë ekipin katalanas në finalen e tij të dytë si trajner i Barcelonës. Ai u shfaq shumë i kënaqur pas fitores ndaj Atlético Madridit në “Metropolitano”: “Jam shumë i lumtur. Kishim dy pjesë shumë të ndryshme loje. Në të parën dominuam më shumë, në të dytën u mbrojtëm mirë. Të gjithë mund të jenë krenarë për këtë ekip, ne trajnerët jemi shumë të kënaqur”.
Megjithatë, trajneri gjerman nuk dëshiron të marrë asgjë si të sigurt dhe përqendrohet në sfidat e ardhshme: “E dimë që në futboll gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt. Jemi shumë të lumtur për ekipin, kemi bërë një progres të madh. E vlerësojmë këtë, por nuk duhet të ndihemi favoritë. Finalja nuk është diçka për të cilën po mendoj tani, është ende larg. Na pret një ndeshje e rëndësishme kundër Betisit, duhet të fokusohemi aty. Na duhet rikuperim, nuk është e lehtë, por po e menaxhojmë shumë mirë situatën”.
Sipas Flick, periudha pas pauzës ndërkombëtare (ndeshjeve të kombëtareve) ka qenë një moment kyç për sezonin e Barcelonës: “Jam gjithmonë pozitiv. Pas pushimit kemi përmirësuar shumë. Mund ta shihni që ekipi beson në mënyrën tonë të lojës. Mendoj se ndeshja e parë gjysmëfinale ishte një pikë kthese për ne. U thashë lojtarëve se isha shumë i lumtur dhe nëse luanim me të njëjtin mentalitet, do të fitonim. Kështu ndodhi edhe sonte. Kemi qenë të guximshëm dhe kemi ditur të vuajmë. Nuk është aspak e lehtë ta mbash portën e paprekur në këtë stadium, pasi Atlético Madridi është një nga ekipet më të mira në Europë”.
Tifozët e Barcelonës ëndërrojnë për tripletën, pasi ekipi ndodhet në vendin e parë në La Liga, ka siguruar finalen e Kupës së Mbretit dhe është në çerekfinalet e Champions League. Megjithatë, Flick paralajmëron se rruga është ende e gjatë:
“Ëndërrimi është i lejuar, por duhet të qëndrojmë të përqendruar. Nuk është e lehtë, sepse do të kthehemi vonë në shtëpi dhe do të duhet të stërvitemi për ndeshjen kundër Betisit. Kjo është puna jonë. Do të bëjmë mirë, kemi një ekip të shkëlqyer me lojtarë shumë profesionistë. Mund të jemi krenarë për mënyrën se si kemi luajtur”.
Heroi i ndeshjes së kthimit ishte Ferran Torres, i cili me golin e tij e çoi Barcelonën në finalen e madhe. Flick shpjegoi arsyen e aktivizimit të tij dhe e komplimentoi për performancën: “Ferran luajti sepse ka bërë shumë mirë në ndeshjet e tjera të Kupës. Të shtunën mund të shohim një ‘9’ tjetër në sulm. Çdo lojtar është në nivel të lartë, kjo gjë na nevojitet, pasi kemi shumë ndeshje për të luajtur. Për shembull, Eric na dha sot stabilitet në mbrojtje. Për Krishtlindje i thashë që, nëse qëndronte, do të luante. Dhe ai po e tregon veten”. /Telesport.al/