Cilat janë opsionet e Trumpit për mandat të tretë?

Një amendament i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ndalon që një person të zgjidhet president i SHBA-së më shumë se dy herë. Megjithatë, presidenti aktual ka përmendur mundësinë që të marrë një mandat të tretë. Sipas tij, ekziston një mundësi që këtë ta bëjë përmes mandatit të fituar si “trashëgimtar”, por jo si fitues i zgjedhjeve. Ekspertët e shohin sfidues pretendimin

Donald Trumpi të dielën u shpreh se ai “nuk po bënte shaka” rreth mundësisë për synimin e një mandati të tretë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe pse Kushtetuta ua ndalon presidentëve të zgjidhen më shumë se dy herë.

“Janë metoda që mund ta bësh”, ka deklaruar Trumpi kur është pyetur nëse është serioz, në një intervistë për “NBC News”. Një metodë për të cilën ai dha indikacione, do të ishte përfshirja e zëvendëspresidentit JD Vance për zgjedhjet e 2028-s, dhe të dorëhiqej nëse zgjidhet, për ta lejuar Trumpin të marrë detyrën.

“Por ka edhe opsione të tjera. Shumë persona duan që unë ta bëj”, ka shtuar ai, pa shpjeguar më shumë.

Ky pretendim filloi një valë spekulimesh dhe alarmi, veçanërisht sepse kjo nuk është hera e parë që ai e ka përmendur këtë ide.

A e ka përmendur më herët Trumpi mandatin e tretë?

Trumpi e ka përmendur disa herë se do të qëndrojë në pushtet edhe pas dy mandateve.

Në vitin 2018, në një tubim për mbledhjen e fondeve në Mar-a-Lago – resori i tij në Florida – Trumpi iu referua mandatit pambarim të presidentit kinez Xi Jinping dhe bëri shaka, “ndoshta do ta provojmë atë një ditë”.

Gjatë tubimeve të fushatës zgjedhore, ai ka thënë se mbështetësit e tij mund të kërkojnë që ai të shërbejë edhe një mandat të tretë, si “shpagim” për hetimet që i janë bërë për përfshirjen ruse. Në vitin 2020, ai pati thënë përmes një postimi në median sociale se “zgjedhjet duhet të shtyhen derisa njerëzit të mund të votojnë si duhet dhe në mënyrë të sigurt”, përsëri duke rritur shqetësimet se ai mund të tentojë të qëndrojë më gjatë sesa mandati i tij.

Steve Bannon, ish-strategjisti i tij kryesor, po ashtu është shprehur publikisht duke sugjeruar se Trumpi dhe bashkëpunëtorët e tij kanë eksploruar metoda jo të zakonshme për të mbajtur pushtetin.

Në një intervistë të dhënë së voni, Bannon ka parashikuar se Trumpi do të kandidojë dhe do të fitojë përsëri në vitin 2028.

“Mendoj se ai do të kandidojë përsëri në vitin 2028 dhe mendoj se ai do të fitojë. Mendoj se do të kemi disa alternativa”, ka deklaruar Bannon, që u shpreh se Trumpi mund të synojë një mandat të tretë, pavarësisht kufizimeve kushtetuese.

Nëse kjo është strategji apo thjesht politikë si zakonisht, thekson një rilindje të temës në narrativën e Trumpit, i cili po i teston kufijtë e Kushtetutës së SHBA-së.

Çfarë thotë amendamenti i 22-të?

Amendamenti i 22-të i Kushtetutës së SHBA-së, i ratifikuar në vitin 1951, thotë se “asnjë person nuk mund të zgjidhet si president më shumë se dy herë”.

Gjuha duket e drejtpërdrejtë, vendos tavan në numrin dy, në pikën se sa parë zgjedhje mund t’i fitojë një person.

Por disa aleatë të Trumpit thonë se ky amendament lë hapësirë për interpretim – veçanërisht, pasi edhe pse një person nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë, ai prapë e ka të mundur të bëhet president përmes trashëgimit të rolit dhe jo zgjedhjeve.

Pse u vendos amendamenti i 22-të?

Para presidentit Franklin D. Roosevelt, asnjë president nuk ka shërbyer më shumë se dy mandate – një traditë e filluar nga George Washingtoni dhe e respektuar për më shumë se 150 vjet.

Por Roosevelti është zgjedhur katër herë, duke shërbyer nga 1933-a deri në vdekjen e tij në vitin 1945. Si rezultat i kësaj, ligjvënësit vendosën amendamentin e 22-të, që ishte ratifikuar nga shtetet në vitin 1951. Qëllimi ishte të kodifikohet tradita dhe të parandalohet që një president në të ardhmen të jetë në detyrë për më shumë se dy mandate.

Si mundet Trumpi ta anashkalojë amendamentin e 22-të?

Boshllëku ligjor që diskutohet më së shumti është mundësia që Trumpi të kandidojë si zëvendëspresident në zgjedhjet e vitit 2028. Nëse një republikan zgjidhet si president dhe dorëhiqet, vdes, apo e largojnë nga detyra, Trumpi teorikisht mund të trashëgojë presidencën.

Ky koncept është i bazuar në leximin e ngushtë të amendamentit të 22-të, që ua kufizon njerëzve mundësinë që të zgjidhen më shumë se dy herë – jo që t’ua ndalojë shërbimin më shumë se dy mandate. Mbështetësit e kësaj teorie thonë se amendamenti mund të mos e ndalojë Trumpin nga të bërit president përmes linjës së trashëgimisë.

Disa ekspertë ligjorë e mohojnë këtë si opsion të mundshëm, duke përfshirë edhe ekspertin ligjor, Bruce Fein. “Janë zero metoda kushtetuese për të anashkaluar amendamentin e 22-të”, ka deklaruar Fein për “Al Jazeera”.

Fein ka paralajmëruar se nëse Trumpi vendos të dalë kundër amendamentit të 22-të, mund t’i ketë disa kufizime të tjera në qëllimin për të qëndruar në pushtet.

“Trumpi shpreson të djegë Kushtetutën dhe të emërojë veten si mbret, siç ka bërë Napoleoni… në vetemërimin e tij si perandor në vitin 1804. Nëse Trumpi anashkalon amendamentin e 22-të, ai nuk do të ketë hezitime për t’i refuzuar urdhrat e gjykatës… duke thirrur ushtrinë për të arrestuar dhe burgosur gjykatësit, ligjvënësit dhe kundërshtarët politikë”.

Sipas ekspertëve, është amendamenti i 12-të ai që ia ndalon Trumpit ta përdorë interpretimin e amendamentit të 22-të si boshllëk ligjor.

Çfarë është amendamenti i 12-të?

Amendamenti i 12-të thotë se “asnjë person që s’është kualifikuar me kushtetutë për të qenë president, nuk mund të jetë as për zëvendëspresident të Shteteve të Bashkuara”.

Pra, nëse Trumpi nuk mund të kandidojë për president, pasi i ka shërbyer dy mandate, ai nuk mund të jetë as zëvendëspresident, sipas interpretimit të këtij amendamenti.

“Trumpi po ashtu nuk do të mund të kandidojë për zëvendëspresident nën amendamentin e 12-të, sepse ai nuk mund të kandidojë për presidencë”, ka konfirmuar Fein.

Gjykatat mund të interpretojnë nominimin e Trumpit si zëvendëspresident, si shkelje e drejtpërdrejtë kushtetuese.

A mund të largohet amendamenti i 22-të?

Në teori po. Por është shumë e vështirë në realitet.

Largimi i amendamentit të 22-të do të kërkonte ndryshim të Kushtetutës: dy të tretat e të gjithë anëtarëve duhet të votojnë pro në Kongres dhe Senat, ndjekur nga ratifikimi prej tre të katërtave nga legjislaturat shtetërore (38 nga 50 shtetet).

Për momentin, Republikanët kontrollojnë vetëm 28 legjislatura shtetërore – shumë pak për të arritur numrin e duhur. Në Kongres, partia e Trumpit nuk e ka dy të tretën e nevojshme për të kaluar në asnjërën dhomë.

A ka mënyra të tjera që Trumpi do të mund të bëhej president përsëri?

Teknikisht po, sipas disa juristëve.

Nëse Trumpi zgjidhet si zëvendëspresident, presidenti i zgjedhur mund të mos ketë nevojë të dorëhiqet që Trumpi të udhëheqë vendin, sugjeroi në një artikull disa muaj më herët “Cornerstone Law”, kompani ligjore me seli në Pennsylvania. Në teori, nëse presidenti përkohësisht është i paaftë të kryejë detyrën, Trumpi do të mund të shërbente si “president në detyrë” nën amendamentin e 25-të.

Përsëri argumenti pengohet nga fakti se amendamenti i 22-të ndalon zgjedhjen më shumë se dy herë – jo detyrimisht mbajtjen e detyrës përsëri përmes formave të tjera.

Gjithsesi, artikulli i “Cornerstone” pranon se ky interpretim është i patestuar ligjërisht dhe me shumë gjasë do të përballej me shumë sfida.

Opsione të tjera, sikur Trumpi të hyjë në linjën presidenciale të trashëgimisë përmes një emërimi në kabinet, edhe kjo është konsideruar, por përsëri do t’i duhet të shmangë pengesa serioze politike dhe kushtetuese.

Ai po ashtu mund të shërbejë jo zyrtarisht si “president nën hije” në një administratë të ardhshme, duke ruajtur ndikimin e madh politik pa e pasur titullin zyrtar.

Por edhe atëherë, gjykatat me shumë gjasë do të konsideronin qëllimin e përgjithshëm të amendamentit të 22-të – që tregon se sa dikush mund të qëndrojë në pushtet në çdo formë pas dy mandateve.

Gjithsesi, Fein ka thënë se retorika e Trumpit dhe qëllimet e tij nuk duhet të konsiderohen vetëm si blof politik.

“Trumpi po përgatit skenën për të ndezur një shkrepëse me rendin kushtetues”, ka shtuar ai.

Përfundimisht, ligji është i fortë aq sa publiku është i vullnetshëm ta mbajë, ka thënë ai. Është ajo se për çfarë njerëzit janë të gatshëm të “luftojnë dhe të vdesin”./koha.net/

Read Previous

Berisha fton Ramën në debat

Read Next

Dy ndeshje interesante luhen sot në Superligën e Kosovës