Dhjetëra të vdekur nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet në kryeqytetin e Kongos

Shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet kanë vrarë të paktën 33 njerëz në Kinshasa – kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos – sipas zyrtarëve.

Si pasojë, banorët e dëshpëruar po përpiqen të ikin nga përmbytjet në mënyra të ndryshme, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Qyteti është shtëpia e 17 milionë njerëzve dhe ndodhet në lumin Kongo, i cili është një nga më të mëdhenjtë në botë dhe shtrihet në të gjithë vendin.

Përmbytjet janë të zakonshme – lumi kohët e fundit arriti nivelin e tij më të lartë në gjashtë dekada.

Pjesë të kryeqytetit janë të prirura ndaj erozionit të tokës dhe vitet e fundit presidenti kongolez ka paralajmëruar se kriza klimatike po i përkeqëson përmbytjet.

Kështu, shumë shtëpi në Kinshasa perëndimore u shkatërruan pas përmbytjeve gjatë natës nga e premtja në të shtunën.

Rreth gjysma e 26 rretheve të qytetit janë prekur në total, sipas kryebashkiakut të kryeqytetit, i cili thotë se ekipet e kërkim-shpëtimit janë dërguar për të ndihmuar.

Më të prekura janë periferitë e qytetit si dhe disa nga lagjet e tij më të varfra.

“Uji ka arritur 1.5 metra lartësi. Ne sapo kemi arritur të shpëtojmë veten, pjesa tjetër është bllokuar në shtëpi”, tha Christophe Bola, i cili jeton në zonën Ndanu për agjencinë e lajmeve AFP. /Telegrafi/

Read Previous

Apple po përgatit një ridizajn të madh të iPhone në 2027?

Read Next

Mbahet seanca gjyqësore për të dyshuarit serb të arrestuar në Gjakovë