Audi ndërpret eksportet në SHBA

Ndryshe nga shumë prodhues të tjerë gjermanë të automobilëve, Audi nuk ka fabrika të vetat në SHBA. Të gjitha automjetet Audi për tregun amerikan dërgohen në SHBA prej Gjermanisë dhe disa vendesh të tjera.

Kompania Audi ka ndaluar të gjitha dërgesat drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Arsyeja është vendosja e tarifave të reja doganore nga presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar, të cilat prekin importet nga e gjithë bota.

Sipas një raporti të portalit Automobilwoche vendimi i Audit vlen për të gjitha automjetet e porositura në SHBA pas datës 2 prill. Automjetet e markës Audi që kanë mbërritur në SHBA para kësaj data do t’u dorëzohen klientëve sipas planit.

Portali Automobilwoche i referohet një letre të brendshme që u është drejtuar tregtarëve me pakicë të automjeteve në SHBA. Këtë e ka konfirmoi tani edhe një zëdhënëse e kompanisë Audi.

Strategji të reja tregtimi
Kompania Audi i dërgon automjetet e saj në SHBA nga Gjermania, Hungaria dhe Sllovakia. Po ashtu në Meksikë prodhohet modeli “Q5” – që është bestseller në SHBA.

Aktualisht kompania Audi ka në magazinat e saj në SHBA më shumë se 37,000 makina Audi. Këto automjete nuk preken nga tarifat e reja. Për këtë arsye ato do të pajisen me një shënim të posaçëm kur të shiten.

Kompania Audi po mendon tani se si t’u sigurojë shitësve me pakicë mundësi dhe impulse të reja për shitjen e makinave Audi që gjenden në magazina në SHBA.

Po ashtu kompania po analizon mënyra se si mund të minimizohet ndikimi i tarifave të reja doganore tek klientët dhe partnerët tregtarë. /DW/

Read Previous

Bisedimet për Ukrainën nxjerrin në pah përçarjet SHBA-Evropë

Read Next

IPK arreston një zyrtar policor dhe rekomandon suspendimin e dy të tjerëve