Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar lidhur me lirimin e dy serbëve që u arrestuan të dielën në Prizren, e për të cilët u tha se ishin oficerë aktiv të shërbimeve të sigurisë serbe.
Haxhiu në një reagim në Facebook, ka thënë se është shqetësuese lehtësia e lirimit të këtyre personave.
“Në grupin 12 serbëve të arrestuar në Prizren, kishte persona aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe. Të arrestuarit në Gjakovë e Prizren kishin lidhje të forta edhe me organizatorët dhe pjesëmarrësit e sulmit në Banjskë. Në Prizren 10 prej 12 u liruan që atë ditë sepse nuk kishte kërkesë për paraburgim, ndërkohë sot qenkan liruar edhe dy.
Pra, pavarësisht provave të bollshme për t’i dërguar në paraburgim dhe hetim të mëtutjeshëm. Është vërtetë shqetësuese lehtësia e lirimit të këtyre personave dhe hedhja poshtë e aksioneve policore dhe institucioneve tjera të sigurisë të cilët kapën me fakte e dëshmi këto dy grupe”, ka shkruar Haxhiu.
Ministrja në detyrë është shprehur se në këtë rast forca e ligjit dhe drejtësisë nuk ka pasur peshë.
“Po harxhojnë aq shumë resurse e kohë institucionet e sigurisë si dhe po rrezikohen punonjësit e këtyre, e në fund të arrestuarit lirohen?! Nuk di cila forcë tjetër i ka liruar këta persona sepse siç duket qartë forca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë”, ka shkruar Haxhiu.
Prokuroria Themelore e Prizrenit ka theksuar se është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë.
“Prokuroria mbetet e përkushtuar të veprojë me përgjegjësi të lartë, duke respektuar të drejtat e palëve dhe duke siguruar zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe objektive”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/