Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u bëri ftesë përfaqësuesve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të vizitojnë Kosovën, duke e vënë theksin tek nevoja për të parë realitetin nga afër dhe jo përmes pasqyrimeve të deformuara në raporte të cilat nuk e reflektojnë gjendjen faktike.
“Në vend që të ndikohemi nga raporte që nuk pasqyrojnë realitetin në vend, ftoj sinqerisht Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të vizitojë Kosovën. Krijojeni vetë përshtypjen tuaj për atë që po ndodh atje. Vizitojini qytetarët serbë në katër komunat veriore të vendit dhe bisedoni me ta”, deklaroi Gërvalla në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.
Ministrja në detyrë Gërvalla theksoi se qytetarët serbë në veri të Kosovës, sot më shumë se kurrë më parë, po ndihen të lirë nga presioni dhe frika e strukturave kriminale të lidhura me Beogradin. Ajo shtoi se fushata e dezinformatave që synon të paraqesë qeverinë qendrore si problem për qytetarët serbë është e pabazë dhe bie poshtë përballë realitetit që përjetohet në terren.
“Ata do t’ju tregojnë se si, më në fund, ndihen të lirë nga presioni dhe terrori i bandave të organizuara kriminale, miq të z. Gjuriq dhe të tjerëve. Asgjë nuk mund të zëvendësojë përshtypjen personale që do ta merrni duke i parë nga afër dhe biseduar hapur me të gjithë ata që mund t’i keni parë si të ndikuar nga raporte të njëanshme”, tha Gërvalla.
Duke iu drejtuar anëtarëve të Këshillit, ajo nënvizoi se shumë nga përfaqësuesit e vendeve partnere që i kanë vizituar komunat veriore kanë ndryshuar plotësisht perceptimin e tyre mbi situatën në vend pas vizitave të tyre në terren.
“Do ta ndryshoni mendimin tuaj për atë që po ndodh, ashtu siç e kanë ndryshuar të gjithë ata që kam takuar dhe që kanë qenë prezent në katër komunat veriore të Kosovës. Ndoshta është një alternativë më e mirë sesa të besoni verbërisht”, përfundoi Ministrja Gërvalla./rtklive