Begaj: Shqipëria ka rritur buxhetin e mbrojtjes

Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiral Giuseppe Cavo Dragone, të cilin e falënderoi për përzgjedhjen e Shqipërisë për vizitën e tij të parë në rajon.

Gjatë takimit, Begaj shprehu vlerësimin për misionin dhe rolin e NATO-s.

Presidenti Begaj theksoi se prania e NATO-s në rajon dhe prezenca e KFOR-it në Kosovë dëshmojnë për rëndësinë dhe vëmendjen që NATO i kushton rajonit tonë.

“Të jemi së bashku, të diskutojmë së bashku, të gjejmë zgjidhjet së bashku sepse vetëm nëse jemi të unifikuar dhe bashkë, ne do të jemi më të fortë. Paqja dhe siguria janë dy fjalë magjike jo vetëm për rajonin tonë në kohërat që po jetojmë. Ne duhet të punojmë fort për t’i garantuar ato”, u shpreh Begaj.

Kreu i Shtetit theksoi se “duhet të mbështesim Kosovën që të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe të rrisë bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe iniciativave rajonale”.

Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria ka rritur buxhetin e mbrojtjes, vijon modernizimin e Forcave të Armatosura dhe ka shtuar përfaqësimin e saj në misionet dhe operacionet e NATO-s.

“Është shumë i rëndësishëm investimi në projektet infrastrukturore, si Korridori VIII dhe porti i ri Porto Romano, të cilat realizojnë ndërlidhjen strategjike dhe rrisin lëvizshmërinë ushtarake”, tha Begaj. /ATSH/

Read Previous

Çmime të ulëta, tarifa të larta: Si ndikon në tregun kosovar lufta tregtare SHBA-Kinë?

Read Next

Mbi 20 aplikacione të paligjshme të lojërave të fatit u mbyllën në Holandë