Kanë hyrë në fuqi të enjten kundërmasat e Kinës kundër SHBA-së, duke rritur tarifat për të gjitha importet amerikane në 84% si hakmarrje ndaj rritjes së tarifave të Trumpit për importet kineze në 125%.
Përshkallëzimi i luftës tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë ka arritur nivele të jashtëzakonshme tarifash dhe kundërtarifash, teksa asnjëra palë nuk duket se do të tërhiqet, raporton The Guardian.
Pekini është zotuar të “luftojë deri në fund”, duke refuzuar të tërhiqet përballë përpjekjeve të Trumpit për të sjellë qeveritë e botës në tryezën e negociatave.
Kina ka njoftuar tarifa reciproke prej 34% si hakmarrje pas rundit të parë të tarifave të shpallura nga Trumpi një javë më parë, në atë që ai e quajti “Dita e çlirimit”.
Trumpi ka paralajmëruar Kinën që ta tërhiqte atë ose do të shtonte tarifën ndaj saj.
Kina ka refuzuar ta bëjë këtë dhe të dy palët filluan një sërë rritje të njëpasnjëshme.
Me vendimin e Trumpit për 125% tarifa kundër importeve kineze, Pekini ka njoftuar të mërkurën se do të impononte 84% mbi produktet amerikane. Ajo gjithashtu ka vendosur 18 kompani amerikane në listat e kufizimeve tregtare, mes kundërmasave të tjera.
Në një editorial të China Daily të botuar të mërkurën vonë thuhet se “presioni i SHBA-së nuk mund të bëhet për Pekinin”.
“Nuk është se Kina nuk e kupton se çfarë nënkuptojnë tarifat e larta të paprecedentë për eksportet e saj dhe ekonominë në përgjithësi. Fitimet e industrive të orientuara nga eksporti do të marrin një goditje dhe rënia që do të rezultojë në investimet në prodhim dhe ndjenjat e konsumatorëve do të zbehë rritjen ekonomike. Por ajo gjithashtu e di se përulja ndaj ngacmimit tarifor të SHBA-së nuk do t’i sjellë asgjë, duke pasur parasysh se nuk është sekret që SHBA-ja tani synon ta heqë Kinën nga tregu i saj i konsumit dhe të riformësojë zinxhirët globalë të furnizimit për t’i shërbyer interesave të veta të ngushta”, thuhet ndër të tjera./koha.net/