Vance: S’është mirë për Evropën që të jetë vasale e përhershme e sigurisë e ShBA-së

Image credit: The New York Times

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka dhënë një intervistë në “UnHerd”, duke folur për qasjen e tij ndaj sigurisë së Evropës.

Zëvendësi i presidentit Donald Trump mes tjerash tha: “Nuk është mirë për Evropën që të jetë vasale e përhershme e sigurisë e Shteteve të Bashkuara”, raporton gazeta “The Guardian”.

Ai këmbënguli se “e do Evropën” pavarësisht nga komentet kritikuese të tij në Munih ose gjatë vizitës së realizuar rishtazi në Grenlandë.

Në komentet që morën më së shumti vëmendje, Vance edhe një herë e kritikoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky për komente “absurde” se administrata e Trumpit është “disi në anën e rusëve”, për të cilat tha se “qartazi nuk janë produktive”.

Nënpresidenti amerikan gjithashtu i përsëriti disa nga kritikat për udhëheqësit evropianë rreth imigrantëve dhe integrimit, duke thënë se “popullsitë evropiane vazhdojnë të qajnë për politika më të arsyeshme ekonomike dhe të migrimit dhe udhëheqësit e Evropës vazhdojnë të kalojnë nëpër këto zgjedhje dhe vazhdojnë t’ua ofrojnë popujve evropianë të kundërtën e asaj për të cilën duket se kanë votuar”.

Ai gjithashtu paralajmëroi se Evropa duhet të ngrihet dhe të punojë për mbrojtjen e saj, pasi “shumica e vendeve evropiane nuk kanë ushtri që mund ta ofrojnë atë (që duhet) për mbrojtje të arsyeshme”, duke i theksuar disa vende që përbëjnë përjashtim, si Britania, Franca dhe Polonia.

Vance bëri thirrje për një Evropë më të fortë, duke thënë: “Unë nuk dëshiroj që evropianët vetëm të bëjnë çfarëdo që u thonë amerikanët ta bëjnë. Nuk mendoj se kjo është në interesin e tyre dhe nuk mendoj se është as në interesin tonë.” /The Guardian/Nacionale/

Read Previous

Titaniku: Sekreti 113-vjeçar

Read Next

Edi Rama: BE-ja na sheh si një anëtar potencial