Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se thirrjet e opozitës për të mos shkuar në zyrë të kryeministrit, për shkak të certifikimit si deputet, janë “thirrje për pezullim të shtetit”. Tek ka komentuar arsyetimin e opozitës se Kurti dhe kabineti i tij nuk janë dorëhequr nga postet qeveritare që të bëhen deputetë, Kurti ka thënë se është i dorëhequr që nga 23 marsi kur ka përfunduar mandatin e rregullt.
“Konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua sepse partitë opozitare PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK nuk votuan për verifikimin e mandateve. Ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër. Ne jemi në detyrë dhe i dorëhequr efektivisht që nga 23 marsi kur e kemi përmbyllur mandatin e rregullt dhe të plotë 4-vjeçar. Nga ajo ditë e deri te legjislatura e re qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Kurti teksa ka shtuar se për statusin e qeverisë e ka njoftuar me letër edhe kryeparlamentarin e deritashëm.
“Më shumë se kaq, nuk është e mundshme të jepet dorëheqje. Më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucioneve”, ka thënë ai teksa e ka quajtur thirrjen e opozitës “të pamatur” e me qëllim “për ta lënë shtëpinë pa zot shtëpie”.
Ai ka thënë se Ligji për Qeverinë e sqaron që qeveria në dorëheqje duhet të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësitë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Në kuadër të kësaj ka thënë se është edhe mbledhja e të mërkurës.
“S’ka ndalim funksionimi. Shteti s’mund të ketë vakuum qeverisje. Qeveria s’mund të ketë ndalesë funksionimi”, ka shtuar Kurti, teksa ka marrë si shembull zgjedhjen e ish-kryeministrave Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj që kanë vazhduar për disa muaj rolin e kryeministrit në dorëheqje./koha.net/