Mbretëria e Bashkuar publikon pamje të migracionit të paligjshëm afër kufirit Shqipëri-Kosovë

Zyra për Punët e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka publikuar një video, ku shfaqen pamje të kapura nga dronët e financuar nga ky shtet, të cilat tregojnë migrantë të paligjshëm duke kaluar kufirin Shqipëri-Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.

Krahas kësaj videoje, Mbretëria e Bashkuar theksoi se bandat kriminale e kanë kthyer Ballkanin Perëndimor në një rrugë transit kryesore për migracionin e paligjshëm.

“Teknologjia e financuar nga Britania e Madhe po ndihmon në ndalimin e kontrabandistëve të njerëzve në Kosovë. Kjo është ajo që ndodh kur ne punojmë së bashku për të trajtuar migrimin e parregullt,” ka shkruar Zyra britanike.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, kishte testuar teknologjinë britanike me të cilën Kosova po lufton kontrabandën. Lammy kishte thënë se qeveria e tij po punon me vendet partnere të Ballkanit Perëndimor për të shtypur këto grupe kriminale.

“Këtu në Kosovë, teknologjia e furnizuar nga Britania e Madhe, si dronët dhe endoskopët, po ndihmojnë në ndalimin e bandave që kontrabandojnë armë dhe njerëz nëpër rajon,” kishte thënë Lammy.

Kryediplomati britanik shtoi se me teknologjinë që Mbretëria e Bashkuar ia ka dhënë Kosovës, po bëhet lufta ndaj këtyre bandave, duke përmirësuar sigurinë dhe luftën kundër kontrabandës në rajon.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Inxhinierja që alarmoi për sigurinë e Teslas fiton betejën ligjore kundër Musk

Read Next

Kthehet tarifa prej 5 euro për turistët në Venecia