Krejt çka ndodhi në seancën e djeshme

Dje ka dështuar për herë të dytë konstituimi i përbërjes së legjislaturës së re të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në nisje të seancës, para se të vazhdohet me pikat e rendit të ditës, kryesuesi Avni Dehari i ka ftuar përfaqësuesit e partive politike që të dalin dhe të konsultohen, siç tha ai që të mos bëjnë ndonjë shkelje procedurale.

Por konsensus mes partive nuk kishte, çka çoi në ndërprerje të seancës nga ana e kryesuesit, shkruan gazeta online Reporteri.net. E kjo u cilësua e jashtëligjshme.

Nga LDK, PDK e AAK  po ashtu thanë se kryesuesi i seancës nuk ka mandat për të ftuar në konsultim partitë politike.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e quajti të padrejtë ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Abdixhiku e quajti shkelje të rëndë dhe “praktikë të mbrapshtë”, vendimin e kryesuesit të seancës, Avni Dehari.

Abdixhiku mes tjerash tha se Dehari që sipas tij ka rastisur të jetë nga Lëvizja Vetëvendosje veproi padrejtësisht pasi sipas tij, kishte kuorum për të vazhduar me votimin e raportit të Komisionit për verifikim të mandateve.

“Qytetarët e Kosovës tashmë e kanë të qartë se kush janë bllokuesit e vërtetë të seancës konstituive. Kryesuesi që rastis të jetë më i vjetri në moshë, rastis të jetë nga partia e parë, pa të drejtë, kundër praktikës kushtetuese ndërpreu seancën e sotme ndonëse kishte kuorum të mjaftueshëm. Kishte kushte për votim, do të duhej të votohej”, tha Abdixhiku.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se VV-ja se ka shumicën, dhe se me këtë po duan ta zvarrisin procesin.

“Krejt qytetarët sot u bën dëshmitarë të faktit që Partia që ka dalë e para dhe ish pushteti e uzurpun një drejtë kushtetuese që u është dhënë përmes deputetit më të vjetër, për me pengu rrjedhën e seancës. Mund t’ju them që këta në mënyrë të organizuar kanë ardhur me pengu seancën”, tha Krasniqi.

E kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, që të jap dorëheqje dhe të vazhdojnë me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, përndryshe ai ka thënë se do të shkohet në zgjedhje të reja.

Haradinaj ka thënë se nëse Kurti nuk mund ta formojë Qeverinë, të lëshojë rrugë.

“Është fare e thjeshtë: Dorëhiqu – nuk mundesh t’i kesh dy pozita. Propozojeni dhe formojeni kryesinë e Kuvendit. Formo Qeverinë. Nëse nuk mundesh – ik, lësho rrugë. Përndryshe, pushtetin do t’ia kthejmë sovranit – e aty mashat do të digjen”, ka shkruar Haradinaj.

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje  akuzoi LDK, PDK dhe AAK  se kanë tendencë të hapur për të bllokuar konstituimin e Kuvendit.

“I ftoi në takim konsultativ përfaqësuesit e partive. Ne ishim në takim dhe është e habitshme të dëgjosh qëndrimet e tyre. Së pari LDK tha që kryesuesi i seancës nuk ka të drejtë të ftojë takim të tillë. Me rregulloren e Kuvendit, debati në seancën konstituive nuk lejohet. Meqenëse debati nuk mund të zhvillohet në seancën e Kuvendit, duke qenë kështu ne e kemi mirëpritur ftesën e kryesuesit të seancës. AAK tha se duhet të vazhdojmë aty ku kemi mbetur, por nuk mund të vazhdojmë me betimin e deputetëve, sepse komisioni nuk i ka verifikuar mandatet. PDK sërish kërkoi dorëheqjen tonë. Nuk e di a po presin të dalim në shesh dhe të dorëhiqemi. Ne e kemi bërë para seancës së 15 prillit. Në këto rrethana nuk e dimë si do të vazhdojmë tutje, por ka tendencë të hapur për të bllokuar konsituimin”, tha Haxhiu.

Kriza institucionale ka nxitur gjithashtu reagime nga ambasadorët ndërkombëtarë në Kosovë.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, kërkoi formimin urgjent të institucioneve të reja.

“Kosova ka nevojë për një Kuvend dhe Qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë përgjegjësi dhe bashkëpunim politik”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, shprehu zhgënjimin e tij me ngecjen e procesit.

Ai kritikoi taktikat obstruktive të partive politike, duke thënë se qytetarët meritojnë udhëheqës që vendosin interesin e Kosovës përpara politikës partiake.

Seanca e djeshme ishte vazhdim i asaj të 15 prillit, e cila gjithashtu përfundoi pa asnjë vendim. Në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë.

Vazhdimi i seancës është caktuar për nesër, në ora 12:00. /Reporteri.net/

Read Previous

​Dita Botërore e Monumenteve dhe Vendbanimeve Historike

Read Next

Grupi ‘’Asnjë cent më shumë’’ mban konferencë për media