SHBA kryen një nga sulmet më vdekjeprurëse kundër Houthi

Një sulm i SHBA-së në portin e naftës Ras Isa në Jemenin perëndimor ka vrarë të paktën 38 persona, raportuan mediat lokale, duke e bërë atë një nga ditët më vdekjeprurëse që kur SHBA filloi sulmet e saj ndaj militantëve të mbështetur nga Irani.

TV Al Masirah tha se sulmet, për të cilat ushtria amerikane tha se kishin për qëllim ndërprerjen e furnizimit me karburant të militantëve Houthi, plagosën gjithashtu 102 persona.

Raportet fillestare, duke cituar ministrinë lokale të shëndetësisë, thonë se numri i të vdekurve është të paktën 17, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

“Qëllimi i këtyre sulmeve ishte shkatërrimi i burimit ekonomik të fuqisë së Houthis, të cilët vazhdojnë të shfrytëzojnë dhe të shkaktojnë dhimbje të madhe tek bashkatdhetarët e tyre”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së në platformën X.

Ndryshe, SHBA filloi sulme të mëdha kundër Houthi muajin e kaluar, duke thënë se ato do të vazhdojnë derisa të ndalojnë sulmet e anijeve në Detin e Kuq.

Që nga nëntori i vitit 2023, Houthit kanë nisur dhjetëra sulme me dronë dhe raketa, duke thënë se ata kanë në shënjestër anijet e lidhura me Izraelin, në shenjë proteste dhe hakmarrjeje për luftën në Gaza.

Raportohet se sulmi i së enjtes ishte një nga më vdekjeprurësit që kur SHBA nisi sulmet ajrore kundër Houthi, në operacionin e tyre më të madh ushtarak në Lindjen e Mesme që kur presidenti Donald Trump mori detyrën në janar. /Telegrafi/

Read Previous

Britania e Madhe dhe Gjermania u bëjnë thirrje partive politike në Kosovë të bashkëpunojnë për formimin urgjent të institucioneve të reja

Read Next

Ruben Amorim: Duhet të fokusohemi në Europa League