Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara (OKB), Stephane Dujarric, ka deklaruar se mbi 2 milionë njerëz janë të bllokuar brenda Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
“Mbi 2 milionë njerëz mbeten të bllokuar brenda Gazës. Armiqësitë e vazhdueshme dhe pakësimi i furnizimeve me ndihma kanë rritur nivelet e stresit, veçanërisht tek fëmijë, me nevojat e shëndetit mendor që rriten nga dita në ditë”, tha Dujarric.
Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Dujarric tha se furnizimet humanitare janë afër boshatisjes pasi Izraeli më 2 mars vendosi një mbyllje të plotë për hyrjen e ngarkesave në enklavë, përfshirë ndihmën humanitare.
Dujarric theksoi se gjithashtu edhe sektori i ujit është prekur “shumë” nga armiqësitë, me pothuajse 90 për të aseteve ujore të prekura.
“Ne ri-theksojmë se Izraeli, si fuqi okupuese, ka detyrime të qarta sipas ligjit ndërkombëtar, të cilat përfshijnë sigurimin e ushqimit, furnizimeve mjekësore dhe shërbimeve shëndetësore publike, si dhe lehtësimin e ndihmës humanitare kur këto nuk ofrohen ndryshe”, tha ai.
Duke iu referuar Bregut Perëndimor, zëdhënësi i OKB-së tha se mijëra banorë janë zhvendosur dhe nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre derisa operacionet izraelite në veri po vazhdojnë.
Të paktën 51 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për veprimet në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. /AnadoluAgency/